E Shtunë, 31 Tetor 2026

Regjistri Themelor i Tokës gati brenda 2012-s

04/10/2011  Mblidhet për herë të parë Task-Forca për sistemin dixhital të regjistrimit të të dhënave

Berisha: Duhet të kemi regjistrin dixhital të tokës për të gjithë territorin e vendit

Kryeministri Sali Berisha u kërkoi anëtarëve të Task-Forcës për Regjistrin Themelor të Tokës që brenda vitit 2012 të përfundojnë Regjistrin Themelor të Tokës. Në këtë funksion shefi i qeverisë tha se duhet të angazhohen të gjitha burimet dhe fondet për kompletimin e këtij procesi. “Ne duhet të kemi regjistrin dixhital të tokës për të gjithë territorin e vendit. Pas Regjistrit të Gjendjes Civile, Regjistri Themelor i Tokës është regjistri më kryesor i vendit. Ai duhet të përfundojë brenda vitit 2012”, - deklaroi gjatë mbledhjes Berisha. Ai kërkoi angazhimin maksimal të Task Forcës dhe strukturave të përfshira në këtë proces për përfundimin brenda vitit të ardhshëm të sistemit dixhital të regjistrimit të të dhënave. Në këtë mënyrë, dje nën drejtimin e Kryeministrit Berisha u zhvillua mbledhja e parë e Task-Forcës për Regjistrin Themelor të Tokës. Kjo task-forcë, e kryesuar nga numri një i qeverisë, ka si objekt pune ndjekjen e Implementimit të Projektit të Administrimit dhe Menaxhimit të Tokës (LAMP), me Bankën Botërore për komponentin “A”, “Siguria e pronësisë dhe të drejtat e Regjistrimit të pasurive të paluajtshme. ” Në përbërje të Task-Forces janë ministri i Drejtësisë, ministri i Financave, ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, zëvendësministri i Drejtësisë, zëvendësministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, zëvendësministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë, drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. Task-Forca për Regjistrin Themelor të Tokës do të mblidhet në mënyrë periodike për të marrë në shqyrtim çështje të ndryshme që lidhen me sistemin dixhital të regjistrimit të të dhënave dhe futjen në këtë regjistër të të gjitha të dhënave dhe kartelave përkatëse për regjistrimin e tokës, me pjesëmarrjen edhe të përfaqësuesve të institucioneve të tjera të pavarura shtetërore, të grupeve të interesit dhe të specialistëve të fushës.

Vlerësimi

Banka Botërore mendon se skema aktuale e kthimit dhe kompensimit të pronave është joefikase dhe duhet të ndryshojë. Për të shembujt e kompensimit nga vendet ish-komuniste janë të aplikueshëm edhe për Shqipërinë. Sipas saj, skemat e kompensimit të shumicës së vendeve përfshijnë instrumente financiare të tjera përveç pagesave në para të thata.

Raporti

Banka Botërore ka hartuar së fundi një raport lidhur me problemet e pronësisë, për të cilat Shqipëria ka një histori të qartë konfiskimi gjatë viteve ’45-’90 dhe një histori kaotike zhvillimi pas viteve 1990. Sipas tij, procesi i regjistrimit sistematik të titujve, që mbetet ende i paplotë dhe që aktualisht mbulon vetëm 25% të zonave kadastrale urbane dhe rreth 83 % të atyre rurale.

Kryeministri pret ambasadorin e Kuvajtit

Projekti për qendrën e Tiranës, do të shndërrohet në histori suksesi

Kryeministri Berisha priti dje në një takim ambasadorin e parë të Kuvajtit në Shqipëri, Najeb al Bader, me rastin e marrjes së detyrës së re diplomatike në Tiranë. “Hapja e ambasadës kuvajtiane në Tiranë shënon një ngjarje të rëndësishme në marrëdhëniet shumë të mira dhe miqësore mes dy vendeve dhe qeverive dhe do të përbëjë një kontribut të ri cilësor në zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit reciprok”, - tha Berisha. Ai i shprehu ambasadorit mirënjohjen për kontributin e rëndësishëm të qeverisë kuvajtiane përmes Fondit Kuvajtian të Investimeve në projekte të rëndësishme që janë realizuar dhe që po realizohen në vend, në veçanti për projektin për rregullimin e qendrës së Tiranës, për të cilin u rikonfirmua vullneti i të dyja palëve, që në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe kryetarin Lulzim Basha ky projekt të shndërrohet sa më parë në një histori të vërtetë suksesi. Ndërsa ambasadori i Kuvajtit në Tiranë i përcolli shefit të qeverisë shqiptare përshëndetjet më miqësore e të përzemërta të Kryeministrit të Kuvajtit, sheikut Naser Mohamed Al-Ahmed al Sabah. Ambasadori kuvajtian informoi mbi vizitën në Tiranë të kryetarit të parlamentit të Kuvajtit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›