E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja e 275 ha tokë ngec gjyqin e Konomit

04/10/2011  Pronat e gjyqtarit të vrarë. Dosja 241 në duart e Prokurorisë. Seanca shtyhet më 5 dhjetor

TIRANË- Gjykata e Tiranës ka rrëzuar kërkesën e avokatit të trashëgimtarëve të Toptanasve, për vënien në dispozicion të dosjes me nr.241, e cila flet mbi praktikën juridike që AKKP ka ndjekur lidhur me kompensimin e sipërfaqes 275 ha, që tashmë është fituar nga fisi i gjyqtarit të vrarë Skerdilajd Konomi. Vendimi i rrëzimit të kësaj kërkese është argumentuar me faktin se kjo dosje, tashmë nuk mund të vihet në dispozicion të gjykatës, për shkak se ajo nuk ndodhet në zyrën e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Sipas përfaqësuesit ligjor të kësaj agjencie Ergian Dollani, dosja që kërkohet nga avokati Tonin Prendi është sekuestruar pak ditë më parë nga Prokuroria, e cila momentalisht është duke zhvilluar hetime lidhur me vrasjen e gjyqtarit të Vlorës Skerdilajd Konomi. Ndërkohë që para se gjykata të merrte vendimin për rrëzimin e kërkesës, avokati i trashëgimtarëve të fisit Toptani ka parashtruar para trupit gjykues të gjitha pretendimet e 8 paditësve, pretendime këto që janë shoqëruar dhe me një sërë dokumentesh që tashmë janë administruar në fashikullin gjyqësor të kësaj dosje. Disa prej këtyre dokumenteve bënin fjalë për dëshmitë e trashëgimive, harta topografike, vërtetime të nxjerra nga arkivi i shtetit dhe Bashkia e Sukthit, si dhe disa të tjera të nxjerra nga zyra rajonale e AKKP në Durrës. Pasi ka dëgjuar pretendimet e paditësve, gjyqtari Arjan Alia ka shtyrë seancën për më 5 dhjetor të këtij viti ku pritet te dëgjohen pretendimet e palës së paditur zyrës së AKKP. Në sallën e gjyqit ndodheshin përfaqësues të trashëgimtarëve Shallvari, nga ku rrjedh dhe familja e gjyqtarit të vrarë Skerdilajd Konomi. Gjithashtu procesin e ndoqi dhe një përfaqësuese e ambasadës amerikane në Tiranë. Ndërkohë që pak ditë më parë Enkelejda Konomi, gruaja e Skerdi Konomit duke marrë shkas edhe nga ky proces, kërkoi mbrojtje, duke iu drejtuar Presidentit të Republikës, si dhe ministrit të Drejtësisë Eduard Halimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›