Topi, bamirësi i Ramës
Qysh në zgjedhjen presidenciale, ndriçoi ylli i ortakërisë së Bamir Topit me Edi Ramën. Presidenti ia delegoi kryetarit të opozitës të gjitha kompetencat e tij, duke kulmuar me përdorimin e prokurorisë, si kobure politike kundër mazhorancës. Më 21 janar, ylli i bashkuar i ortakërisë arriti kulmin, duke u përpjekur ta nxjerrë Edi Ramën nga reanimacioni politik, për t’i dhënë atij pushtetin në bulevard. Formimi i partisë-çakall prej Bamirit është prova e besnikërisë, por tiranasit dhe të djathtët e dinë se nga një njeri që s’jep një kafe, s’mund të pritet as dëmi që partia e Bllokut pret t’i vijë prej partisë së presidentit
Historiku i Bamir Topit si bamirës i Edi Ramës nis të lërë shenjë që në zgjedhjen e të parit si president i republikës. Nuk dihet në ka qenë shkëndijë e çastit, kapriçio e rastit apo ndonjë kabëll historik, për çka ia lëmë kohës të flasë, por vërtetohet se që në zgjedhjen e tij, Topit i poqi ylli me Ramën. Që në zgjedhje, Bamiri u shfaq pa drojë në një krah me Edi Ramën e kështu të gjitha kompetencat kryesore të tij, zëre se ishin kompetencat e Edi Ramës. Dhe ajo më kryesorja, guri kilometrik i kësaj marrëdhënieje, padyshim ishte prokuroria, kompetencat e së cilës tashmë ishin zhvendosur në goditjen e qeverisë dhe mbylljen e të dy syve, për çka kish ndodhur me deri në atë çast (kur u shfaq shkëndija pra) me piramidën e dosjeve të Ramës. Kjo marrëdhënie nisi të shkruajë histori pas zgjedhjes së Bamirit në presidencë, dhe kjo histori kalon përmes takimeve të fshehta me yll të pjekur tek Ashik-u e më gjerë, për të cilat edhe media ka folur, edhe gjysmë-konfirmime ka pasur. Prej këndej, pasi kryetari i opozitës nisi ushtrimin e detyrave “ad interim” të presidentit të republikës, ne vëzhguesve s’na mbeti gjë tjetër veç të numëronim bamir-ësitë e tjera të Topit, të cilat për hir të së vërtetës, po vinin në një epokë mjaft të rëndë për Edi Ramën, pasi ai kishte rënë në reanimacion politik, pas humbjes së zgjedhjeve të para, të dyta... Emërimet me porosi nëpër gjykata, shndërrimi i prokurorisë në një kobure politike në shërbim të oborrit të tij partiak, dekorimi i persekutorëve më të egër të diktaturës dhe nxjerrja e dekreteve për sjelljen në institucionet kushtetuese të atyre njerëzve që në jetën e tyre kishin lexuar veç “Rrugën e Partisë” e “Drejtësinë Popullore” ishte enumeracioni i matshëm i kësaj marrëdhënieje që tashmë ishte shndërruar në një simbiozë, ku palët s’e shihnin dot shpëtimin pa ekzistencën edhe të tjetrit. Por kulminacioni i këtij ylli të bashkuar ishte 21 janari, ku Bamir Topi ishte garanti i përpjekjeve të Edi Ramës për të hedhur - jo qeverinë, por Shqipërinë në erë, bile madje guxoi të kërcënonte edhe ministrat e kohës që të mos e pengonin në zbatimin e “revolucionit të bulevardit”. Sot e kësaj dite, Bamir Topi s’guxon të tregojë se ku ishte atë ditë, kur institucionet e shtetit ishin vendosur nën dhunën e falangave të liderit të opozitës. Ai ka qëndruar i qetë prej asaj dite, bile as ka guxuar të fabrikojë ndonjë alibi, sikur para kryeministrisë s’kishte ndodhur asgjë, pasi ashtu ia kishin referuar e ia referonin atij “strukturat e sigurisë”. Dhe tani, që marrëdhënia po konsumohet (për shkak të kohës që kalon...merret vesh), është afruar edhe finalja e madhe. Drejtpërdrejt në televizion, Bamir Topi ka konfirmuar robërimin ndaj Edi Ramës, me fraza e veprime që rrëfejnë veneracionin ndaj tij. Drejtpërdrejt në televizion, Topi i ka shpallur Edi Ramës angazhimin solemn, angazhimin e vet të mbramë si politikan, për krijimin e një partie-çakall, e cila do të përpiqej të tjetërsonte ndonjë votë në të djathtë. Angazhimin e paturp e amplifikuan këto ditë edhe ndoca kalemxhinj tek mediat e Edi Ramës, por ata harrojnë një të dhënë të fortë, që në selinë e PD-së dhe në strukturat antikomuniste ku gjallon vitaliteti për përshpejtimin e reformave, e dinë fort mirë. Bamir Topi, ky njeri që s’jep një kafe, po angazhohet t’i japë Ramës një parti, po angazhohet t’i japë në këtë rast oksigjenin e munguar. Bile, mund të shtoj, se edhe toka po iu deshën Edi Ramës, Bamir Topi do t’ia jepte (i ka me shumicë në fakt), sepse drita e yllit të bashkuar është e fortë... Por kjo s’mjafton, për të shpëtuar një karakatinë politike si opozita e Edi Ramës. Aq më tepër, kur llogaritet shumatorja e zerove politike, afërmendsh se do të kemi një zero. Veçse një zero dyfishe, një zero më transparente.
...