E Diel, 1 Nëntor 2026

20 vjet pluralizem, Berisha: Rilindja e dyte e kombit

Demokratet festojne 20-vjetorin e themelimit te PD-se. Berisha: Nxorem Shqiperine nga bunkeri, sot pa viza

Mbi një pankartë e gjitha në blu, numri 20 i vendosur 20 herë. Kaq janë vitet që ka mbushur PD-ja, ditëlindje të cilën 1500 demokratët e ftuar e festuan mbrëmë në hollin e Pallatit të Kongreseve. Aty ku bluja është mbizotëruese, 20-a ka dhe të verdhën, simbolikën e BE-së. Mbi kokat e demokratëve, një tjetër pankartë gjigande që shfaqi dukshëm një prej momenteve të protestave të studentëve dhjetoristë dhe liderin e tyre Sali Berisha. Rreth tortës me stemën e PD-së u mblodhën 1500 të ftuar. Ishin të gjithë ish-themelues të pluralizmit në Shqipëri, militantët që nuk e braktisën PD-në as në kohët më të vështira, trupi diplomatik i akredituar në Tiranë dhe aleatët që bashkëqeverisin me PD-në. Një festë e dyfishtë për demokratët, krijimi i PD-së, bashkë me të edhe 20 vjet pluralizëm politik, por edhe zyrtarizimin e lëvizjes së lirë drejt zonës Shengen. Ndaj, si forca e parë opozitare që u ngjiz nga idealet e Dhjetorit ‘90, ajo mblodhi së bashku themelues të saj, kontribuues të atyre zhvillimeve të mëdha për historinë e vendit që shënuan ndarjen përfundimtare nga një prej regjimeve më të egra në Evropë. Gjithçka patën si ideale, të rinjtë dhjetoristë ku shquante ëndrra evropiane u përqafuan dhe përfaqësuan nga forca e parë opozitare e vendit. Për Kryeministrin e vendit, Sali Berisha, ky moment është rilindja e dytë e madhe kombëtare. 

"Shqipëria si gjithë Evropa’ ishte ëndrra jonë, lajtmotivi i lëvizjes sonë 20 vjet më parë, bashkë me ‘Shqipëria në NATO’ dhe ‘Shqipëria në Bashkimin Evropian’. Dhe sot, pas dy dekadash, këto aspirata janë realizuar, prandaj duhet të ndihemi që të gjithë krenarë”, - tha z. Berisha. Pas shfaqjes së dokumentarit ku fokusoheshin 20 vjet veprimtari e PD-së, lideri i saj, Kryeministri Sali Berisha, deklaroi se kjo forcë politike përfaqësoi më së miri vlerat e qytetërimit perëndimor. Kryeministri tha i bindur se sot shqiptarët kanë shumë arsye të festojnë nisur nga zhvillimet historike, siç është anëtarësimi në NATO apo edhe lëvizja pa viza në zonën Shengen. Ai theksoi se tashmë janë realizuar ëndrrat e atyre të rinjve që thërrisnin për Shqipërinë si gjithë Evropa.
Është momenti kur ringre figurën e liderit të dhjetorit Azem Hajdari, çast kur të ftuarit brohoritën për të pavdekshmin dhe bashkë me Kryeministri Berisha lëshuan thirrjet “Azem, ti je gjallë”. “Në datën 8 dhjetor në darkë studentët e universiteteve në Tiranë të udhëhequr nga Azem Hajdari do të mbushnin rrugët e kryeqytetit në një betejë që detyroi klikën në pushtet të firmoste kapitullimin e saj dhe të pranonte pluralizmin me partinë e parë, atë Demokratike”, - u shpreh z. Berisha. “Sot, - shtoi ai, - kemi arsye të festojmë Shqipërinë 20-vjeçare dhe shqiptarët 20-vjeçarë me lirinë dhe dinjitetin e tyre. Ne, duke shfrytëzuar lirinë, jemi 20 vjet larg nga skëterra e diktaturës që lamë pas. Sot jemi vendi frymëzues i lirive dhe tolerancës fetare. Vendi që nuk ka asnjë proces ndaj fjalës së lirë dhe mediave të lira. Duhet të ndihemi më krenarë se kurrë, se Kosova është e pavarur dhe Evropa ka hedhur poshtë traktatet për copëtimin e territoreve të Shqipërisë”, - theksoi z. Berisha. Por, sipas tij, Shqipëria do të vijojë rrugëtimin drejt konsolidimit të aspiratës së saj evropiane, pasi 20-vjetori i PD-së është ditëlindja e lirisë dhe pluralizmit në Shqipëri.
“Shqipëria në Evropë dhe në NATO ishte thirrja që buronte nga shpirti i studentëve të Dhjetorit ‘90. Sot Shqipëria është anëtare e NATO-s, shqiptarët nesër do të lëvizin të lirë në mbarë Evropën. Shqiptarët ecin të sigurt në rrugën e integrimit të tyre në BE. Shqipëria që 20 vjet më parë kishte ekonominë më varfër në Evropë, është vendi që lë mbrapa edhe ndonjë vend anëtar të BE-së. Është vendi më i preferuar për investime në mbarë botën”, - shtoi Berisha. Ai vuri në dukje: “Të rinjtë shqiptarë në dhjetor të vitit ‘90 treguan trimëri të pashembullt, shembën Murin e Berlinit, duke mbushur ambasadat e gjunjëzuar pushtetin, por jo të ndalonte marshin e qytetarëve ku në datën 8 dhjetor, me në krye Azem Hajdarin, do të nisnin Lëvizjen e Dhjetorit, duke mbushur sheshet e qytetit dhe në datën 11 dhjetor do të themelonin partinë e parë pas pluralizmit”, - deklaroi Kryeministri Sali Berisha. Si çdo vit, është shndërruar në traditë, që Kryeministri Berisha të presë tortën me stemën e PD-së.

Ne festë, klerikët, diplomatët dhe biznesmenë

Në festën e mbrëmshme të demokratëve, ishin të pranishëm, Presidenti i Republikës, zoti Bamir Topi, Kryetarja  e Kuvendit, zonja Jozefina Topalli, ministra të kabinetit qeveritar, deputetë, ish studentë të dhjetorit 90’ përfaqësues të organizmave ndërkombëtare, ambasadorë, drejtues të komuniteteve fetare në vend, përfaqësues të biznesit, përfaqësues dhe drejtues të mediave, si dhe shumë qytetarë, simpatizantë të Partisë Demokratike. Duke përshëndetur këtë ngjarje, kryeministri Berisha, në fjalën  e tij solli në kujtesën e qytetarëve disa prej zhvillimeve politike më të rëndësishme në vend, gjatë këtyre 20 viteve. Kryeministri rikujtoi  me respekt dhe nderim të thellë, të gjithë ata të rinj dhe të reja, të cilët u bënë nismëtarët  e parë të ndryshimeve demokratike në Shqipëri. Kryeministri u shpreh se tashmë Shqipëria, nga vendi i humbur i telave me gjemba u shndërrua, në një vend të lirë, të hapur, të zhvilluar ekonomikisht, cili gëzon solidaritetin, mbështetjen dhe miqësinë më të madhe në të gjithë historinë kombëtare.

Selami: Berisha, mik i vjetër me kontribut të çmuar

I qeshur, duke shtrënguar duart me miqtë e vjetër të PD-së, por pa refuzuar as ata të ardhur rishtas në këtë parti. Njëri nga ish-themeluesit e PD-së, Eduard Selami, ishte mbrëmë i ftuar në festën e demokratëve. Ish-kreu i PD-së, Selami, tha mbrëmë për “Standard” se Sali Berisha mbetet për të një mik i vjetër dhe me kontribut të çmuar në Partinë Demokratike. I befasuar nga organizimi i festës së mbrëmshme në hollin e Pallatit të Kongreseve, Selami, i cili udhëton sot drejt Amerikës, deklaroi se rikthimi në Tiranë do të jetë më i shpejtë nga sa e ka parashikuar. “Do të kthehem me shpejt se nga çfarë e kam menduar, pasi jam gati të kontribuoj në politikë dhe pres ftesa konkrete”, - u shpreh z. Selami. Pa bërë të ditur se çfarë konkretisht, ish-themeluesi i PD-së vlerësoi kontributin e Kryeministrit Sali Berisha, duke u shprehur me të qeshur: “Ai është një mik i vjetër dhe me një kontribut të çmuar në PD”.

Festa, Presidenti Topi përkrah Berishës

Jo vetëm që u ftua nga Kryeministri Sali Berisha, por dollinë e parë me verën e kuqe e ngiri pikërisht me ish-bashkëpunëtorin e vjetër në PD, aktualisht Bamir Topi. I çlirët, me një pamje të qetë, ku sfumon çdo thashethemnajë se ka përplasje të heshtur mes Berishës dhe Topit, të dy mbrëmë uruan njëri-tjetrin për 20-vjetorin e ditëlindjes së PD-së. Të dy funksionarët e lartë me kontribute të veçanta që në krijimin e PD-së, në atë kohë akademikë, Berisha dhe Topi takuan miqtë e dikurshëm dhe ata të rinj, si në një natë të vërtetë feste. Kryetari i Shtetit i ndodhur pranë edhe nënkryetares demokrate, Jozefina Topalli, nuk hezitoi të shkëmbente urimet edhe me atë, duke shfaqur një pamje paqeje mes tyre në prani të kamerave dhe 1500 të ftuarve në hollin e Pallatit të Kongreseve.

Berisha fton Ramën dhe deputetët e PS-së

Ftesat mbërritën të gjitha në selinë e PS-së, por mbrëmë u pa mes demokratëve vetëm socialisti Ylli Manjani. Burime pranë Kryeministrit bënë të ditur se ftesat i ishin dërguar kryetarit të PS-së, Edi Rama, dhe të gjithë deputetëve të grupit parlamentar të PS-së, me rastin e 20-vjetorit të shembjes së komunizmit dhe vendosjes së demokracisë në Shqipëri, por asnjëri prej tyre nuk u bë pjesë e festës së madhe të shqiptarëve. Por kundrejt zyrtarëve të PS-së, në festën e demokratëve ishin mbrëmë aleatët e PD-së, republikanët, LSI-ja, legalistët, ballistët etj. Gjithashtu, ishte i pranishëm edhe trupi diplomatik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›