Pensionet e ushtarakeve, opozita braktis Komisionin e Sigurise

Demi: Ushtaraket kane derguar me shkrim mendimin e tyre. Mazhoranca miraton aktin normativ
Opozita braktis mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Sigurisë gjatë diskutimit të aktit normativ për pensionet e ushtarakëve. PS kërkoi shtyrjen e mbledhjes, në mënyrë që në komision të marrin pjesë edhe grupet e interesit, pasi, sipas tyre, e drejta e fituar me gjyq e ushtarakëve nuk mund të rishikohet në komisionet kuvendore. Për mazhorancën, prania e ushtarakëve është e nevojshme tek Komisioni i Ekonomisë, si komision përgjegjës, dhe jo tek Siguria. Për më tepër, kreu i komisionit, Leonard Demi, deklaroi se kishte pasur një diskutim për rreth dy orë me përfaqësuesit e Aleancës Kombëtare Ushtarake të Shqipërisë, të cilët kishin paraqitur me shkrim kërkesat e tyre. Por socialistët ritheksuan kërkesën për praninë e ushtarakëve në komision. Pas kundërshtimit nga PD-ja, anëtarët socialistë braktisën punimet e komisionit, ku e djathta miratoi e vetme aktin normativ.
Debatet
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10142, datë 15.5.2009 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë” u kundërshtua me forcë nga deputetët e opozitës si antikushtetues dhe antisocial. Deputetët socialistë kërkuan që në shqyrtimin e tij të ishin të pranishëm dhe grupet e interesit, ndërsa u shprehën se me këtë akt qeveria cenon të drejtat ligjore të ushtarakëve të fituara me një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Mazhoranca e mbrojti aktin normativ të qeverisë, i cili e justifikon bazën ligjore që kërkon Kushtetuta. Kryetari i Komisionit të Sigurisë, Leonard Demi, theksoi se ushtarakët nuk janë përjashtuar nga e drejta e sigurimit. Sipas tij, mbledhja është e hapur dhe ata mund të vijnë të sjellin argumentet e tyre ndërsa shtoi: “Unë dje kam pritur Aleancën e Ushtarakëve që janë ushtarakë me gradën më të lartë në lirim të cilët më sollën letrën që kemi përpara. Në këto kushte çfarë padrejtësie po u bëjmë grupeve të interesit kur janë të mirëpritur”. Sipas deputetëve demokratë, për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 26 prillit 2010, është krijuar një efekt financiar i konsiderueshëm, i cili nuk mund të përballohet dhe sjell efekte financiare të papërballueshme, ndaj dhe ky akt, sipas tyre, rivendos një balancë ndërmjet përfituesve, tavanet e të cilëve ishin prishur për shkak të vendimit të kësaj gjykate. PS kërkoi shtyrjen e mbledhjes për pasditen e sotme, pasi anëtarët e komisionit theksuan se nuk votojnë akte normative. Pas kundërshtimit nga PD-ja, anëtaret socialistë braktisën punimet e komisionit, ku e djathta miratoi e vetme aktin normativ. Një vendim i Gjykatës Kushtetuese i qershorit të këtij viti ka hequr tavanet për pensionet e parakohshme. Por po të zbatohej formula pa tavan, një pensioni i parakohshëm maksimal i një gjenerali me 27 vjet karrierë, mund të kapte 107 300 lekë, pra thuajse sa rroga neto e sekretarit të përgjithshëm në ministrinë e linjës. Veç kësaj, impakti financiar i pensioneve të parakohshme në buxhetin e shtetit do të ishte 1.2 miliardë lekë në vit. “Gjendemi përballë të drejtës dhe pamundësisë për të plotësuar këtë të drejtë, për shkak se përllogaritja nuk referohet në një ligj po në një vendim të Gjykatës Kushtetuese”, - tha Lindita Rusmali, drejtore Juridike në Ministrinë e Financave. Për këtë arsye është propozuar nga Ministria e Financave një akt normativ, i cili parashikon që llogaritja e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi të ushtarakëve të bëhet mbi pagën mesatare referuese neto të çastit, kur një përfitues merr pension. Në këtë mënyrë, përfitimi nga pensioni përllogaritet si pjesë e përfitimit faktik mujor nga puna dhe teorikisht nuk mund të jetë më i madh se paga neto që një ushtarak apo punonjës policie merrte gjatë kohës që ishte në punë.