Hetimi, PS pranon gabimin: Do te korrigjojme piken 3

Xhafaj: Ne diskutim, dy formula per perberjen. Ligjet shtyjne shqyrtimin e kushtetutshmerise se kerkeses
Partia Socialiste tërheq për korrigjim kërkesën e dorëzuar në Kuvend për ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Konfirmimi u bë dje nga deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj. Konferenca e Kryetarëve u kërkoi të hënën socialistëve ta rishikonin pikën 3 të nismës së depozituar në Kuvend, me argumentin se nuk pajtohej me ligjin, pasi ajo parashikonte që mazhoranca e komisionit ligjërisht t’i jepej opozitës parlamentare. Ligji përcakton të kundërtën, ndonëse mazhoranca ka deklaruar se opozita do të ketë shumicën, pasi do të tërheqë dy anëtarë të saj. Ndërkohë që Xhafaj kritikoi vendimin e Komisionit të Ligjeve për të shtyrë shqyrtimin e kërkesës, duke e konsideruar atë si refuzim. Komisioni i Ligjeve shtyu dje shqyrtimin e kushtetutshmërisë së kërkesës së socialistëve pas vendimit të Konferencës së Kryetarëve për ta rikthyer kërkesën për përmirësim.
Ligjet shtyjnë kërkesën
Komisioni i Ligjeve shtyu dje shqyrtimin e kërkesës së socialistëve për hetimin e zgjedhjeve. “Siç jeni në dijeni, dje është mbledhur Konferenca e Kryetarëve dhe ka vazhduar shqyrtimin e kësaj kërkese. Unë po ju citoj nga njoftimi për shtyp i bërë me këtë rast: “Në mbledhje u evidentua fakti se formulimi i pikës 3 të kërkesës, pra lidhur me përbërjen e këtij komisioni, bie në kundërshtim me ligjin për komisionet hetimore. Raporti mes mazhorancës dhe opozitës në komision hetimor dhe përbërja e tij është kriter formal-juridik, pa plotësimin e të cilit kërkesa nuk mund të vihet në lëvizje”. Për këtë shkak kërkesa iu kthye grupit nismëtar për plotësim dhe korrigjim. Kjo është arsyeja që na bën ne sot që këtë pikë të rendit të ditës ta heqim nga rendi i ditës dhe të presim plotësimin dhe korrigjimin e saj”, - tha kreu i komisionit, Ilir Rusmali. Në vijim të këtij vendimi reagoi dhe deputeti socialist, Xhafaj. Ai kritikoi vendimin e komisionit për shtyrjen e shqyrtimit të kërkesës, madje shtoi se nuk ishte aspak e nevojshme që drafti të kalonte në komision. “Heqja nga rendi i ditës së projektvendimit tregon që qëllimi nuk është shqyrtimi i këtij projekti po përpjekja për ta vonuar atë sa më shumë për të dhënë atë përgjigje që dihej”, - tha Xhafaj.
PS pranon gabimin
Gjithsesi, ai pranoi se PS e ka tërhequr atë për korrigjim, duke pranuar në këtë mënyrë hartimin e kërkesës në shkelje me ligjin. “Meqenëse e do në letër, dhe e do në mënyrë zyrtare, patjetër do t’ia çojmë zonjës dhe në mënyrë zyrtare”, - tha Xhafaj. Lidhur me pikën 3 të projektvendimit që ishte dhe më e debatuara, Xhafaj tha se nuk ka një ligj që t’i caktojë mazhorancës shumicën, për më tepër që kërkesa është hartuar në përputhje me rekomandimet e Bashkimit Evropian, ku thuhet që kryetarin dhe shumicën në komisionin hetimor duhet ta ketë opozita. Gjithashtu, shtoi deputeti socialist, krerët e dy grupeve parlamentare ranë dakord për 2 formulat e mundshme për nenin 3 të kërkesës së PS-së që i japin kësaj partie kryesimin në komision. “Shumica e shprehur të jetë e mazhorancës, por dy anëtarë të saj të tërhiqen sa herë që ka një vendim, gjë që është e çuditshme se këta nuk tërhiqen kur janë minorancë si mazhorancë, jo më kur kanë mazhorancën. Ka dhe version të dytë, i cili thotë që përfaqësuesi i opozitës të ketë tri vota, ky është më i pranueshëm”, - sqaroi ai. Lidhur me debatin nëse do t’i referohen nenit 119 apo nenit 178, Xhafaj tha se këto dy nene nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin. “Neni 178 është marrëdhënie e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me dokumentacionin. Ne nuk po kërkojmë të ngremë një komision për magazinim, ne po kërkojmë të ngremë një komision për hetim. Ajo që ngatërron zonja Topalli dhe të gjithë kolegët e saj, është që ngatërrojnë komisionin e magazinimit dhe çmagazinimit me komisionin e hetimit. Nuk ka asnjë referencë në Kushtetutë dhe në ligj. Komisioni i magazinimit të zonjës Topalli nuk është as në Kushtetutë, as në ligj”, - deklaroi ai. Ashtu siç vendosi Konferenca e Kryetarëve të grupeve, të enjten në seancë deputetët do të përcaktojnë me votë datën kur do të nisë shqyrtimi i kërkesës së socialistëve. Gjithsesi, pritet që komisioni i ligjeve ditët në vazhdim të rishohë kërkesën nga ana juridike.
Dy formulat për nenin 3 të projektvendimit
Shumica e shprehur të jetë e mazhorancës, por dy anëtarë të saj të tërhiqen sa herë që ka një vendim. (PS kundër këtij varianti).
Përfaqësuesi i opozitës të ketë tri vota. (Formula më e pranueshme për socialistët).