E Shtunë, 31 Tetor 2026

20 x 5 fakte nga Superliga 2007-2008

Nga Leonard Karaj
Pjesa IV- Nëse mbledh të gjitha të vecantat e Superligës gjatë këtij sezoni mund të bësh pa frikë një skenar filmi sa tragjik po aq dhe komik. Personazhet kryesorë do të jenë natyrisht futbollistët, trajnerët, presidentët e klubeve, arbitrat dhe deri dhe tifozët më fanatikë të këtyre skuadrave. Do të ketë gjithcka aty brenda; dhunë, gola, trukime ndeshjesh dhe deri tek futbollistë që pezullohen dhe përjashtohen nga njëra skuadër dhe "blihen" nga skuadra tjetër. Natyrisht që do të jetë një film me metrazh të gjatë ashtu sikundër edhe 33 javët e 12 skuadrave shqiptare. Në mënyrë të përmbledhur "albania-sport" ju ofron një guidë të rikthyer në kohë, që nga ndeshja e parë dhe deri tek e fundit e sezonit 2007-2008 në kampionatin shqiptar të futbollit. 61. 25 futbollistë janë larguar ose përjashtuar gjatë këtij sezoni nga klubet e Superligës. Skuadra që ka njohur më shumë largime ka qenë Skënderbeu i Korcës 15 lojtarë. 62. Fabio Hanuch është blerja më e bujshme, por komplet e dështuar që ka bërë një ekip i Superligës. Argjentinasi erdhi plot bujë te Dinamo, por rezultoi një dështim total. 63. Sipas vlerave të kartonëve të futbollistëve që luajnë në Superligën shqiptare, ka rezultuar se Tirana është skuadra më e shtrenjtë. Bardheblutë vlenin 10 mln euro. 64. Shtatë drejtues të Superligës me skuadrat e tyre bojkotuan javën e 24 të kampionatit shqiptar teksa FIFA dhe UEFA pezulluan futbollin nga arena ndërkombëtare. 65. Java e 28 në Superligë ka dhuruar 4 barazime të bardha 0 me 0 në përballjet Shkumbini-Dinamo, Elbasani-Partizani, Flamurtari-Besëlidhja dhe Kastrioti-Teuta. 66. Java e 25 Tirana fiton ndaj Elbasanit megjithëse me nëntë futbollistë në fushën e lojës. Kjo është fitorja dhe humbja më dramatike gjatë këtij sezoni. 67. Astrit Hafizi ka qenë trajneri i vetëm që është shkarkuar gjatë këtij sezoni me anë të një mesazhi. Pas barazimit 2 me 2 me Elbasanin ai largua nga pankina e Tiranës. 68. Indrit Fortuzi, ikona e Tiranës post-1990, ka qenë futbollisti më i famshëm i Superligës që i ka thënë gjatë këtij sezoni lamtumirë futbollit të luajtur si futbollist. 69. 27 dopieta (gola) janë realizuar gjatë këtij sezoni në kampionatin shqiptar të futbollit. 54 golat janë shënuar nga 22 futbollistë të ndryshëm të Superligës. 70. Sulmuesi i Vllaznisë së Shkodrës, Vioresin Sinani është i vetmi futbollist në Superligë që ka mundur të realizojë në tri ndeshje të ndryshme nga tri dopieta. 71. Gentian Stojku (Shkumbini), Klodian Duro (Tirana) dhe Bledar Mancaku (Besa) janë të vetmit lojtarë që kanë shënuar nga dy dopieta gjatë këtij sezoni në Superligë. 72. Katër tripleta janë realizuar gjatë këtij sezoni në Superligë në 4 takime nga 4 futbollistë, Vioresin Sinani, Marius Ngjela, Klodian Duro dhe Skerdi Bejzade. 73. Pero Pejic, sulmues i Dinamos, është i vetmi që ka sigluar katër gola në një ndeshje gjatë këtij sezoni. Ai shënoi në minutat 20', 52', 57' 64' në përballjen Dinamo-Skënderbeu 7-0. 74. 347 lojtarë kanë qenë federuar në 12 klubet pjesëmarrëse në Superligë. 300 kanë ardhur që nga fillimi i sezonit dhe 47 të tjerë gjatë merkatos së janarit. 75. Goli i futbollistit të Flamurtarit, Zhunior në përballjen e javës së parë Flamurtari-Skënderbeu (3-1) ka qenë goli më i shpejtë i këtij sezonin shënuar në minutën e 2-të. 76. Ish-trajneri i Dinamos, Agim Canaj ka qenë tekniku më i ndëshkuar në Superligë nga Disiplina. Për thyerje të etikës sportive ai është gjobitur me 20.000 lekë të reja gjobë. 77. Kastrioti ka qenë skuadra që nuk ka luajtur asnjë ndeshje në fushën e vet. Kjo për faktin se fusha e këtij ekipi kanë qenë gjatë gjithë sezonit në rikonstruksion. 78. Superliga gjatë këtij sezoni është transmetuar nga paketa Supersport. Ndërkohë që TVSH dhe Vizion + kanë transmetuar ndeshje të Dinamos dhe Partizanit. 79. Talenti i ri dinamovit, Daja, është lojtari më i ri që ka realizuar një gol gjatë këtij sezoni në Superligë. Ai shënoi në minutën e 88 në ndeshjen Vllaznia-Dinamo. 80. Ndaj Dinamos në javën e fundit skuadra e Partizanit ka zhvilluar ndeshjen e saj të 1500-të në 60 kampionate, ku ka marrë pjesë që prej vitit 1947.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›