Bakaj për testim te Verder Bremen

Mesfushori sulmues i Partizanit, Elis Bakaj, pritet të kryejë një provë te gjigantët gjermanë të Verder Bremenit, skuadrës së dytë të Bundesligës, që siguroi një vend direkt në fazën e grupeve në Ligën e kampioneve.
Albania-sport arriti të sigurojë lajmin nga burime të sigurta, teksa mësohet në rrugë konfidenciale se është menaxheri Sokol Haxhiaj ai qa ka siguruar edhe pikën e kontaktit me klubin ku aktivizohet një nga lojtarët më të kërkuar në Europë, braziliani Diego. Haxhiaj ka një listë të pasur lojtarësh shqiptarë, që nis me Erion Bogdanin e përfundon te Gilman Lika e Andi Lila.
Elis Bakaj, i cili dy sezone më parë kaloi disa ditë te Janina në Greqi, bëri një sezon të jashtëzakonshëm, duke qenë edhe golashënuesi më i mirë i Partizanit (12 gola).
Elis Bakaj, i cili mban edhe rekordin shqiptar për aktivizimin në një ndeshje ndërkombëtare me klubin e Partizanit, në moshën 17 vjec, në ndeshjen kundër Makabi Netanjaut (2004) ka kaluar përmes të gjitha seleksioneve shqiptare nga U-15 e së fundi te Kombëtarja A.
Mesfushori i avancuar energjik, i konsideruar edhe si një Zamarano i vogël u vlerësua shumë nga ish-trajneri i Kombëtares, Oto Baric dhe gjendet në listën e të thirrurve nga Ari Han për ndeshjen miqësore kundër Polonisë.