Prokuroria pushon hetimet ndaj dëshmitarit të Bandës së Lushnjës
Prokuroria e Tiranës pushon hetimet për Gramoz Selmanin, dëshmitarin e Bandës së Lushnjës, i denoncuar nga të pandehurit dhe avokatët mbrojtës për falsifikim dokumentacioni dhe kalim i paligjshëm i kufirit. Argumentimi i hetuesve të çështjes është se pasaporta e tij është shumë e rregullt, me të gjitha parametrat ligjorë, ndërsa akuza e kalimit të paligjshëm të kufirit nuk qëndron, pasi Selmani nuk është arrestuar asnjëherë në kufijtë e Shqipërisë. Kallëzimi penal ndaj Selmanit është kryer nga avokati Denion Bogdani, i cili mbron të pandehurit Ilir Stërgu dhe Arben Boriçin në procesin ndaj Bandës së Lushnjës. Prokuroria verifikoi edhe procesverbalet e seancës gjyqësore të datës 1 prill 2010 të mbajtur në Gjykatën për Krime të Rënda, kur dëshmitari Selmani ka pranuar para togave të zeza se ka ikur dhe ardhur nga Greqia në mënyrë klandestine, si dhe nuk ka pranuar të flasë në lidhje me mënyrën e marrjes së pasaportës.
Ndërsa në lidhje me pasaportën që personi nën hetim Selmani ka paraqitur në seancën gjyqësore të lëshuar me datë 22 shtator 2006, rezulton se është pasaporta e parë që ky shtetas ka pasur në jetën e tij, e pranuar edhe nga vetë ai në seancë gjyqësore. Por avokatët pretendonin në kallëzim se në kohën e lëshimit të kësaj pasaporte emri i tij ndodhej në listën e të kërkuarve ndërkombëtar, bazuar në masën e sigurisë “arrest me burg” dhënë nga Gjykata e Lushnjës me vendimin nr. 120, datë 18 nëntor 1999 për akuzën e gjashtë vrasjeve. Prokuroria e Tiranës tha se kallëzimi i avokatëve nuk qëndron dhe pajisja me pasaportë është kryer me të gjitha dokumentet e duhura. Hetuesit e çështjes nuk saktësojnë dot nëse dëshmitari Gramoz Selmani ka qenë prezent në Shqipëri kur ka marrë pasaportën, ndërsa saktësojnë se dokumenti identifikues është i ligjshëm dhe nuk është i falsifikuar. Prokuroria tha se në bazë të këtyre verifikimeve hetimet ndaj këtij shtetasi për dy veprat penale të falsifikimit të dokumenteve dhe kalimit të paligjshëm të kufirit nuk qëndrojnë dhe si rrjedhim hetimet për këtë kallëzim janë pushuar. Disa muaj më parë, Gramoz Selmani ka qenë dëshmitar në procesin gjyqësor ndaj Aldo Bares, ku ka dëshmuar në lidhje me vrasjet e shtetasve Ramadan Shkurti (vëllai i Aldo Bares) dhe Bardhi Rabija e Genci Kashari, ndërsa u plagosën Aldo Bare dhe Enver Rabija, sipas dëshmisë së Selmanit të kundërshtuar me forcë nga i pandehuri i akuzuar si kreu i Bandës së Lushnjës.
#