E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza mbyll 258 biznese në Sarandë

Tatim-Taksat konfirmojnë mbylljen e rreth 600 aktiviteteve. Por jo të gjitha kanë falimentuar

Efektet e krizës lexohen qartazi në këta 6 muaj të vështirë të vitit 2010 në ekonominë e Sarandës dhe në bizneset që operojnë në qytetin e turizmit.

është e vërtetë se stina e pushimeve ka nxitur aktivizimin e disa bizneseve të vogla sezonale. Kjo e bën disi të fshehur krizën, por në fakt ajo është e pranishme, e pohuar nga mjaft prej biznesmenëve.

Duke u shtruar në bisedë me disa prej tyre, dëgjon të thonë se në kushtet kur u ulet fitimi dhe u shtohen shpenzimet, vazhdimi i aktivitetit të tyre në disa fusha është një mbijetesë, që nuk mund të shkojë gjatë.

“Po na mbaron ‘dhjami’ i vënë në vite dhe nuk dimë se deri ku mund të shkojmë me atë që na ka mbetur”, shprehet një biznesmen i fushës së ndërtimeve, që për nga pesha që zë, shpesh i kalon edhe të ardhurat nga turizmi në Sarandë.

I njëjti shqetësim për mpakjen e biznesit reflekton edhe në statistikën që serviret nga Drejtoria Rajonale e Tatim-Taksave në Sarandë. Kjo drejtori ka të listuar dhe mbulon rreth 3793 biznese të mëdha e të vogla, që ushtrojnë aktivitet në Sarandë e Delvinë. Por në klasifikimin e detajuar të këtij institucioni, vetëm 3195 figurojnë në kategorinë e bizneseve aktive, pasi 598 të tjerët “hanë bukë veç”, në kontekstin negativ të kësaj fjale.

Ata që përfshihen në këtë shifër të frikshme, ose kanë dorëzuar përkohësisht licencën, duke mbyllur aktivitetin, ose kanë ngritur duart përfundimisht, duke shpallur falimentin e duke hequr dorë përgjithmonë nga biznesi.

Drejtori rajonal i tatim-taksave në Sarandë, Arben Guga, thotë se 340 prej këtyre subjekteve klasifikohen se kanë kaluar në pasive, duke qenë se prej dy vjetësh rezultojnë me humbje. Ndërsa 258 subjekte të tjera, sipas tij, janë mbyllur.

Nuk është e vështirë të kuptohet se shkaku i kësaj dukurie të shprehur gjendet në atë se nuk u kanë qëndruar dot më ligjeve të konkurrencës dhe ligjësive të tjera të ekonomisë së tregut.
“Pak dritë në fund të tunelit”, mund të thuhet për balancimin e kësaj “fikjeje” të biznesit sarandjot me biznese të reja që kanë nisur. Guga thotë se në 6 muajt e kaluar të këtij viti janë bërë edhe 269 regjistrime biznesesh të reja. Ai i kategorizon ato: 249 në biznes të vogël, 19 në biznes të madh, ndërsa 4 regjistrime vijnë nga organizata jofitimprurëse.

Për këto shifra disi balancuese e shpresëdhënëse Guga shpjegon se disa biznese janë riaktivizuar me sezonin turistik, duke u rikthyer në skemë pas pezullimit të përkohshëm të aktivitetit. Fjala këtu është për biznese sezonale, apo biznese të vogla, në shërbim të sezonit turistik.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›