Proceset e bandave shtyhen për në shtator
Dy proceset ndaj bandave më famëkeqe në Shqipëri janë shtyrë dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda, pasi kanë munguar avokatët e mbrojtjes. Procesi ndaj bandave të Durrësit ishte planifikuar të zhvillohej në orën 09.00. Trupi gjykues, i kryesuar nga Gurali Brahimllari, pasi ka verifikuar palët e pranishme në seancë ka konstatuar se mungonin disa avokatë. Më pas ka diskutuar me akuzën dhe të pandehurit për seancën e radhës. Prokurori Anton Martini i ka kërkuar gjykatës të shtyjë seancën gjyqësore me 24 orë, në pritje të avokatëve. Ndërkohë, nga kafazi i hekurt i gjykatës ka reaguar i pandehuri Endrit Dokle, duke pohuar se këtë të premte ka një ndeshje volejbolli në ambientet e paraburgimit 313. Në sallë është krijuar ilaritet, ndërsa trupi gjykues ka shtyrë seancën gjyqësore në fillim të muajit shtator. Kjo shtyrje është parë si një autogol i mbrojtësve, pasi në këtë mënyrë janë pezulluar edhe afatet e paraburgimit të të pandehurve. Mjaftonte që në seancën e fundit gjyqësore të ishin të gjithë të pranishëm dhe kërkesa për shtyrje seance të zhvillohej nga prokuroria dhe në këtë mënyrë afatet 45-ditore nuk do të pezulloheshin.
Ndërkohë, disa orë më pas, respektivisht në orën 12.00, në të njëjtën sallë gjyqi është tentuar të zhvillohej edhe procesi gjyqësor ndaj Bandës së Lushnjës, me provat e mbrojtjes. Kryetari i Kolegjit Penal, Gerd Hoxha, ka verifikuar palët e pranishme, ndërsa është vënë re mungesa e disa avokatëve. E njëjta situatë edhe në këtë proces, ku gjyqtari Hoxha ka shtyrë seancën gjyqësore për në muajin shtator.
#