200 vjetori i Chopinit, kremtohet dhe në Tiranë
Skena ndërkombëtare e muzikës, këtë vit shënon 200 vjetorin e lindjes së romancierit, pianistit dhe kompozitorit Frederic Chopin (1810-1849), fenomenit unik në historinë e muzikës piano, vlerat e paçmueshme dhe të bukura e të cilit dëgjohen me kënaqësi në të gjitha botën. Viti 2010, i shpallur si Viti Chopin do të kremtohet edhe në Shqipëri për nder
të këtij kompozitori të njohur botëror. Kremtimet e Vitit të Chopin 2010 në Shqipëri, hapen me një aktivitet kulturor-artistik organizuar në bashkëpunim me Shoqatën F. Chopin, Shoqatën e Miqësisë Shqipëri-Poloni, Ambasadën e Polonisë dhe atë të Francës në Tiranë. Në sheshin prapa Akademisë së Arteve, në rrugën Lek Dukagjini, ku ndodhet busti i Chopinit, të dielën, datë 28 shkurt, ora 11:00, do të kryhet ceremonia e zbulimit të pllakës me emërtimin e sheshit Chopin dhe do të jepet një koncert në natyrë me muzikë të pianistit të famshëm polak. Pjesët, që do të luhen nga pianistë të rinj, janë Polonaise -ouvre posthume sol, Mazurca-re, Valcs-op posthum-mil, Polonaise-re, Studio Revolution dhe Grande Polonaise. Në këto koncerte që do të zhvillohen për nder të kompozitorit të njohur botëror do të jenë pjesëmarrës artistë të rinj të talentuar, por dhe emra të njohur të skenës shqiptare. Ndërkohë që Polonia ka filluar që më 1 janar të shënojë zyrtarisht Vitin e Chopinit në Zelazowa Wola, vendin ku u lind Chopini. Gjatë këtij viti jubilar janë bërë të ditur se do të zhvillohen rreth 1200 koncerte, ekspozita, filma dhe shfaqje teatrale kushtuar Chopinit, ndërkohë që një koncert dhe një ekspozitë ka çelur këto festime, të cilat kanë nisur pikërisht prej Parkut të Muzikës. Gjithashtu, Varshava ka organizuar edhe edicionin e 16 të konkursit kombëtar për piano, i cili zhvillohet deri në fund të muajit tetor. Ky konkurs ka për qëllim të zbulojë dhe të vlerësojë talente të reja. Nga data 15 qershor deri më 13 korrik në Ville Lumiere do të zhvillohet festivali Chopin në Paris, por fillimisht më 1 mars do zhvillohet një koncert në sallën e madhe Playel në Rue du Faubourg Saint-Honore, ditë kur edhe ka lindur kompozitori i madh polak. Edhe këtë vit në kryeqytetin francez ashtu si dhe çdo vit tjetër do të organizohet nga UNESCO, nga data 15 deri më 13 korrik, The Young Peoples Tribute. Nuk mbetet pas dhe Londra, e cila po përgatitet për një aktivitet, data e të cilit ende nuk është bërë e ditur në Carnagie Hall. Ndërsa në Firence, Romë e Venecia kanë nisur tashmë kremtimet, ndërsa La Scala e Milanos do ti kushtojë një ditë të veçantë me aktivitete të ndryshme në fillim të muajit maj. Ndërkohë që Parlamenti i Varshavës e ka caktuar vitin 2010 si vitin e festimeve në nder të pianistit dhe kompozitorit më të famshëm polak.
Jeta e kompozitorit
Chopin ka lindur në vitin 1810. Në Francë shpërngulet në vitin 1830, në Paris, ku vdiq më 17 tetor të vitit 1849 në moshën 39-vjeçare, pas sëmundjes së gjatë nga turbekulozi.Bashkëkohësi dhe miku i poetit polak Adam Mickijevich e ka quajtur përbindësh moral, por Chopin i la botës vepra, bukuria e të cilave vazhdon edhe sot. Në moshën 21-vjeçare ai u transferua në Paris. Pas kësaj ai nuk u kthye kurrë më në atdhe. Megjithatë muzika e tij përcolli ngaherë elemente të muzikës popullore polake. Chopin ka kompozuar përherë për piano solo, por katalogu i veprave të tij përfshin edhe dy koncerte për piano e orkestër, 20 romanca për zë e piano, kompozime për muzikë dhome për piano e violonçel, piano, violonçel e violinë, piano e flaut, etj.
Nga Julia Vrapi