E Diel, 1 Nëntor 2026

QSUT, pacientët shtrohen në dysheme në mungesë të shtretërve

Mjekët: personeli i urgjencave do të reduktohet në masën 10 për qind

Qendra më e madhe spitalore Nënë Tereza vazhdon të mbetet në gjendje tepër të rëndë, kjo përsa i përket kushteve që u ofrohen qytetarëve. Edhe pse pothuajse çdo ditë në ka deklarata për median nga drejtues të shëndetësisë dhe nga drejtori i kësaj qendre, për përmirësim të kushteve, në fakt pacientët dhe vet mjekët e kësaj qendre kanë pohuar

të kundërtën për gazetën. Kështu, mjekët e Kardiologjisë kanë pohuar për gazetën Sot se kushte në këtë qendër dhe sidomos në urgjenca është skandaloze. Ata kanë pohuar se janë detyruar të shtrojnë pacientë në dysheme, kjo për shkak të mungesës së shtretërve që ekziston në urgjencën e kardiologjisë. Po të shohësh kanë bërë një fasadë ministrie që kanë harxhuar gjithë ato lekë për fasadën e Ministrisë së Shëndetësisë, që do ta kishe zili edhe Ministria e Shëndetësisë Italiane. Por nuk e kuptoj se çfarë inpakti sjell ajo fasadë e bukur dhe ai rikonstruksion që ka bërë Ministria e shëndetësisë. Përkundrazi, sjell vetëm urrejtje sepse kur shikon që këtu nuk ka krevate për pacientët dhe para tre ditësh kemi shtruar pacientë në dysheme. Fasada e Ministrisë së Shëndetësisë me xhama të bukur etj,  kjo sjell edhe zemërimin e pacientëve dhe i egërson ata akoma edhe më tepër për një shëndetësi që nuk funksionon, pavarësisht deklaratave që bëjnë eprorët tanë dhe aq më tepër me urdhrat që merre drejtori i ri, ka pohuar një mjekë në këtë pavijon emri i të cilit nuk bëhet i ditur për arsye sigurie, pasi ashtu siç pohon edhe mjeku, mund të humbas vendin e punës

Reduktimi i personelit
Megjithatë një tjetër shqetësim për këtë staf është dhe reduktimi i posteve në urgjenca. Ku sipas tyre do të ketë reduktim të personelit të urgjencave. Gjendja në QSUT është shumë e rëndë. Që të vësh rregull në shëndetësi është njëlloj sikur të shkosh në stadium ku hyrja është e lirë dhe të kërkosh vendin e biletës tënde. E njëjta situatë është edhe këtu. Në QSUT edhe shenjat janë të këqija. Këtu kemi një qytet që është katërfishuar dhe në urgjencën, apo edhe në urgjencën e re numri i posteve në urgjencë reduktohet me 10%, pra do të kemi një urgjencë ku do të kemi mure terja dhe aparatura të reja ndërsa shtretër nuk do të ketë. Në urgjencën aktuale ne kemi 16 shtretër ndërsa aty do të kemi 14 shtretër, kështu që detyrimisht rrëmuja do të mbes. Atje do të kemi aparatura por, problemet do të mbesin. Unë nuk shoh ndonjë dritë në fund të tunelit.  Për, të panjë dritë në fund të tunelit duhet të ndërtohen edhe 2-3 spitale të tjera në këtë qytet, ka vazhduar të pohoj për gazetën një nga mjekët në kardiologji

Urgjenca e Kardiologjis
Kushtet e këqija, në të cilat pacientët marrim ndihmën e parë, vazhdojnë të mbeten prezente në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza. Kjo pohohet tanimë, jo vetëm nga pacientët, ankesat e të cilëve nuk kanë fund, por edhe nga stafi mjekësor. Sipas këtyre të fundit, ka ardhur koha që shërbimet e urgjencave dhe përkatësisht ajo e Kardiologjisë të reformohet dhe të punohet nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë për pajisjen e tyre me shtretër, medikamente, pajisje të ndryshme dhe gjithçka nevojitet. Në urgjencën e kardiologjisë vetëm ditën e djeshme ka pasur mbi 180-200 raste të pacientëve që kërkonin ndihmë të menjëhershme nga ana e bluzave të bardha. Por, përveç fluksit të pacientëve, një nga problemet e shumta është se në këtë urgjencë nuk ka kushte të mjaftueshme për përballimin e pacientëve, pasi numri i shtretërve është më pak se 15, ndërkohë që numri i vizitave shumë herë më i lartë. Nëse një pacient ka nevojë të menjëhershëm për mjekim, atëherë mjekët janë të detyruar që të ngrenë një tjetër të sëmurë, që mund të ketë ardhur më përpara, por që mund ta ketë rimarrë disi veten, për të shtrirë një tjetër rast që është më rëndë. Panorama që ofrohet në këtë urgjencë është e njëjta për çdo ditë. Mjekët kardiologë shpjegojnë se, për shkak të kushteve tepër të vështira, edhe puna vështirësohet shumë, marrëdhënia me familjarët gjithashtu. Në këtë repart, prej kohësh pacientët mjekimin e tyre e marrin nëpër karrige, ndonëse në fillim të vitit u premtua nga ana e drejtuesve të QSUT-së për përmirësim të kushteve dhe shtim të numrit të shtretërve.

Liri Mëhalla

Last Updated on E Marte, 23 Shkurt 2010 22:32

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›