E Shtunë, 31 Tetor 2026

2000-2009, dhjetëvjeçari më i nxehtë

Ky dhjetëvjeçar ka shumë të ngjarë që të konsiderohet më i nxehti që kur ka filluar regjistrimi i temperaturave në vitin 1850. Për sa i përket vitit 2009, ai mund të renditet ndër më të nxehtit. Ky është raporti i agjencisë së motit të Organizatës së OKB-së, i publikuar në ditën e dytë të konferencës për klimën në Kopenhagën. Vetëm Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja kanë përjetuar një mot më të ftohtë se zakonisht, ndërsa korriku i këtij viti ka regjistruar temperaturat më të larta. Në Afrikën Qendrore dhe në Azi, viti që po lëmë është më nxehti. Valë të jashtëzakonshme të të nxehtit kanë pasur edhe India në maj dhe Kina në qershor. Mot të nxehtë ka pasur në përgjithësi e gjithë Azia Jugore. Dhjetëvjeçari që kemi kaluar do të jetë më i nxehti në të gjithë historinë e regjistrimeve të temperaturave, duke kaluar madje edhe vitet ‘80 dhe ‘90. Ai ka qenë një dhjetëvjeçar i prekur në mënyrë dramatike nga ndryshime klimatike të jashtëzakonshme. Vera e vitit 2007-2009 ka shkrirë në mënyrë të ndjeshme akujt e Oqeanit Arktik dhe shkencëtarët vunë re se Antarktida po ngrohej shumë më tepër nga sa besohej më parë. Ndërkaq thuajse të gjithë akujt në botë kanë pësuar ndryshim nga temperaturat e ulëta. Për sa i përket dhjetëvjeçarit, viti i tij më i nxehtë është 2003. Vite shumë të nxehtë në dhjetëvjeçarë të tjerë janë 2005, 1998, 2007 dhe 2006. Ndryshimi i temperaturave nuk është ndonjë gjë e rrallë. Në historinë e planetit, ato ndryshojnë herë pas here nga një periudhë në tjetrën, por kjo ka ndodhur për shkaqe natyrale. Diferenca në këtë rast është se ndryshimet e fundit kanë ndodhur si pasojë e ndërhyrjes së njeriut dhe vetëm njeriu duhet të përpiqet që t‘i parandalojë shkatërrimet e mëtejshme.
Për sa i përket konferencës së Kopenhagënit, pjesëmarrësit në të kanë diskutuar dje çështjet teknike, ndërsa një pjesë kanë punuar për pikat e projektit përfundimtar, që do të shqyrtohet në fund të javës së ardhshme. Në ditët e fundit të këtij takimi do të marrin pjesë dhjetë liderë botërorë, ndër të cilët edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama. Ai do të mbështesë përpjekjet për luftën kundër ndryshimeve klimatike, të cilën ai e ka shndërruar në një nga pikat kryesore të axhendës presidenciale, ndryshe nga paraardhësi i tij, Bush, i cili ishte tërësisht indiferent dhe mospjesëmarrës. Megjithatë negociatorët mendojnë se Shtetet e Bashkuara duhet që të bëjnë më tepër, veçanërisht për sa i përket përqindjes së uljes së emetimit të dioksidit të karbonit, që deri tani është në masën 17%.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›