E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthimet pranë ministrive e policisë

Njëqindenjëzeteshtatë persona janë viktimat e një situate tragjike, që ka ndodhur në kryeqytetin irakian, Bagdad, që u ka rikthyer të gjithëve kujtimet e viteve më të përgjakshëm në vend. Pas shpërthimit, vendet e goditura ngjanin me një fushë të bombarduar me trupa njerëzorë, të shpërndarë nga të katër anët, me gërmadha makinash dhe shtëpish. Ky është sulmi i tretë i koordinuar dhe me pasoja shumë të rënda në humbjet njerëzore që ndodh këto katër muajt e fundit. Bombat kanë shpërthyer në zonat në afërsi të ndërtesës së Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Financave dhe një zyre policie, të gjitha simbole të autoritetit të qeverisë, që supozohen se ndodheshin në një mbikëqyrje të rreptë të ushtarëve dhe trupave vendase. "Kemi hyrë në dyqan disa sekonda pas shpërthimit dhe befas pamë tavanin të na binte mbi krye dhe, në këto e sipër, humbëm menjëherë ndjenjat. Më pas dëgjova sirenat e ambulancave, si dhe ulërimat e njerëzve", thotë një i mbijetuar i katastrofës. Ai është 1 nga 435 të plagosurit rëndë nga numri i njëpasnjëshëm i shpërthimeve. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë ka qenë e vështirë që të përcaktohej numri i saktë i viktimave, sepse trupat e vdekur kanë qenë njëherazi edhe të shpërndarë në të gjithë zonën, në copa dhe pjesë. Sulme të tjera të ngjashme u janë atribuuar më parë terroristëve sunitë. Për Kryeministrin e vendit, edhe sulmi i fundit synonte destabilizimin e vendit në një vit elektoral. Ky ishte një sulm i dënuar rëndë edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas analistëve politikë, bombat janë vënë që të trondisin pushtetin e qeverisë shiite dhe se nuk ka dyshim që motivi i tyre ishte politik.
Gjatë 18 muajve të fundit, autoritetet e Irakut kanë shënuar një rënie të dhunës dhe të shpërthimeve. Sulmi i fundit i përgjakshëm dhe i përmasave të mëdha ishte ai i muajit tetor, në të cilin humbën jetën 155 vetë dhe u plagosën qindra të tjerë. Këto kanë qenë dy sulmet më të mëdha. Duket se terroristët, në vend të sulmeve të vogla e të herëpashershme, preferojnë tani të bëjnë disa, por të përmasave të mëdha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›