Remitancat vijojnë të ulen në Shqipëri
Të ardhurat e Shqipërisë nga puna e emigrantëve jashtë vendit ranë në nivelin më të ulët në katër vite gjatë tremujorit të tretë të këtij viti, duke shënuar një rënie prej rreth 6.6 përqindësh në krahasim me një vit më parë. Lajmi bëhet i ditur nga statistikat e llogarisë korrente të publikuara dje nga Banka e Shqipërisë. Gjatë periudhës korrik-shtator, sipas BSH, në Shqipëri hynë 187 milionë euro në formë transfertash të emigrantëve për familjet e veta, ndërkohë që në korrik-shtator 2008, emigrantët patën sjellë 200 milionë euro. Gjithsej gjatë periudhës janar-shtator, emigrantët sollën në atdhe 581 milionë euro nga 620 milionë që patën sjellë vitin e shkuar. Problemi më i madh duket se qëndron në faktin se prurjet e emigrantëve kanë një vit që vijnë në zvogëlim si pasojë e krizës financiare dhe ekonomike botërore. Nga ana tjetër, në tremujorin e fundit, remitancat kanë shënuar edhe rënien më të ndjeshme, pavarësisht se si rregull, gjatë verës, më shumë emigrantë kthehen në atdhe për pushime.
Kriza
Që në fillim, ekspertët paralajmëruan se remitancat janë një nga kanalet më të mëdha të "rrjedhjes" së krizës financiare, pasi emigrantët janë zakonisht të fundit që punësohen në kohë të mirë dhe të parët që pushohen nga puna në kohë të keqe. Shqipëria ka gati dy herë më shumë të punësuar jashtë vendit se sa brenda vendit. Emigrantët jetojnë para së gjithash në Itali dhe Greqi, dy nga vendet e goditura rëndë nga kriza. Por duket se më e keqja ndoshta do të vijë më vonë. Fqinji ynë jugor, Greqia, po përballet me përkeqësim të shpejtë të situatës financiare, aq sa në tregun ndërkombëtar po spekulohet edhe për një faliment të mundshëm. Qeveria e Greqisë duket se do të detyrohet të eliminojë një pjesë të konsiderueshme të shpenzimeve publike, gjë që do të vështirësojë jetesën si për grekët, ashtu edhe për emigrantët.
Emigrantët shqiptarë në Greqi janë më pak të stabilizuar se ata në Itali dhe rrjedhimisht edhe më të rrezikuar të humbasin vendet e punës.
Në rënie prej gjashtë vjetësh
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se së paku në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, të ardhurat nga remitancat kanë rënë që kur arritën kulmin në vitin 2003. Gjatë tre viteve të fundit, rënia ka qenë e shpejtë. Kështu, remitancat përbënin 14.2 për qind të PBB-së në vitin 2003, ndërsa ranë në 9.3 për qind në vitin 2008. Disa ekspertë janë skeptikë për këtë vlerësim, duke marrë parasysh se të dhënat për Prodhimin e Brendshëm Bruto për vitet e fundit janë pak ose aspak të besueshme.
Modeli i ri i zhvillimit
Banka e Shqipërisë ka hapur sakaq një debat publik duke sugjeruar gjetjen e burimeve të tjera të financimit të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë të ndryshme nga remitancat e emigrantëve. Sipas një teorie të vjetër ekonomike, remitancat fillojnë të ulen deri sa shkojnë në zero pas dekadës së parë të emigrimit për shkak se emigrantët stabilizojnë jetën e vet në atdheun e ri dhe humbasin ngadalë lidhjet familjare dhe shpirtërore me atdheun e vjetër. Rritja e shpejtë ekonomike e Shqipërisë, që nga rënia e komunizmit, është nxitur veçanërisht nga miliarda euro të sjella nga emigrantët, para që u depozituan nëpër banka dhe më pas iu kredituan qeverisë dhe biznesit privat. Këtë vit, si rrallëherë, depozitat nëpër banka nuk u rritën dhe për rrjedhojë, edhe kreditimi për ekonominë ngeci në vend. BSH sugjeron që qeveria të mendojë seriozisht për thithjen e investimeve të huaja direkte ndërsa si sektori publik, ashtu edhe ai privat, duhet të mendojë për t‘i investuar paratë në biznese më fitimprurëse. Investimet me normë më të lartë kthimi kërkojnë më shumë aftësim profesional të shqiptarëve, gjë që nënkupton nevojën për më shumë investime në arsim.