E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dilemat e 21-vjeçares që nuk shikon...

Zëri i lartë kumbues të krijon përshtypjen e një karakteri të fortë dhe të papërkulur. Sytë ngjyrë kafe plot shkëlqim duket sikur shprehin besim dhe shpresë të pashtershme. E megjithatë ndryshe nga të tjerët, atë e zgjon çdo ditë e njëjta dilemë: "Do ta sfidoj apo do të më sfidojë"? Vetëm personaliteti i një vajze të fortë si ajo do të pranonte të ishte pjesë e një "beteje" të errët, që do të zgjaste përjetësisht. Anisa Proda quhet vajza që është përballur me paaftësinë e të mos parit që në momentin kur dha frymëmarrjen e parë. E megjithatë ky fakt nuk e bëri të pamundur vizionin e saj të qartë për ta parë jetën me një sy tjetër, ndoshta nga shumë më larg se ç‘mund ta shohin bashkëmoshatarët e saj. 21-vjeçarja nuk shikon, por kjo nuk e ka "kushtëzuar" atë ta imagjinojë botën në të cilën jeton. Ajo është studente e vitit të parë për diplomën e nivelit të dytë, në Universitetin privat Europian të Tiranës, për Shkenca Politike. Anisa është e vendosur t‘i bëjë ballë paaftësisë për të shikuar, edhe pse në më të shumtën e rasteve ndihet keq që vendi i saj nuk mund t‘i ofrojë kësaj kategorie minimumin e lehtësirave që përfitojnë këta persona në vende të tjera të botës. "Që të shkoj në shkollë dhe të kem nivel të krahasueshëm me të tjerët, ka kosto sociale. Duhet medoemos që të kesh njerëz që të jenë në dispozicionin tënd për të të bërë gjëra që nuk i bën dot vetë", thotë Anisa. Nga ana tjetër, sipas saj, nuk është e lehtë të përballosh edhe koston psikologjike që ka fakti i të qenit njeri i kushtëzuar në Shqipëri. "Dihet që shoqëria jonë është e prapambetur, nuk është e hapur, të refuzon, nuk është tolerante ndaj diversitetit. Ajo ka krijuar një hartë mendore të ngurtë dhe përpiqet që të gjithë njerëzit që janë të ndryshëm për arsye të caktuara t‘i gjykojë, sipas kësaj skeme standarde, kjo për mua nuk është e drejtë", shfryn 21-vjeçarja. E pyetur se si arrin të studiojë në të njëjtat kushte me studentët e tjerë, ajo përgjigjet: "Vitet e studimit kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë jo të lehta për mua. Sigurisht që më ka mbështetur edhe stafi akademik, por ka qenë më shumë ndihmë informale. Nëse dikush ka pasur dëshirën e mirë, nëse dikush ka besuar tek unë, më ka ndihmuar shumë. Nëse dikush nuk më ka besuar, më ka dhënë aq sa e ka parë të arsyeshme", thotë Anisa. Sipas saj, duhet që vetë shkolla si institucion t‘i ndihmojë këta persona nëpërmjet hapësirave ligjore, ose rregulloreve të brendshme. Paaftësia shpesh herë shpërfillet, por ai është një problem serioz vetëm për ata që e vuajnë në "kurrizin" e tyre, aq problem sa askush nuk mund të guxojë të thotë të kundërtën. Kjo pasi i kushtëzon njerëzit në mënyrë të konsiderueshme. "Është thjesht çështje zgjedhjeje, vendos të përballesh me këtë problem ose nuk vendos. Edhe në jetën time ka dilema shumë të forta: nëse unë do të përballem, apo do të tërhiqem, nëse vendos të tërhiqem sigurisht që është përfundimtare, mjafton të biesh në apati dhe je tërhequr vetë", tregon vajza me aftësi të kufizuara. Teksa e pyet se si e imagjinon të ardhmen, apo se ku do donte të arrinte pas përfundimit të studimeve, ajo buzëqesh e përgjigjet: "Pse jo, në të ardhmen dëshiroj të bëhem politikane". Në fytyrën e saj dallohet dëshira e madhe që një ditë edhe Shqipëria t‘u japë mundësi personave me paaftësi për t‘u përfaqësuar në fushat ku ata dëshirojnë të bëjnë pjesë. Në vendet e tjera njerëzit kanë arritur të jenë mendjehapur, kanë arritur të përparojnë dhe ta pranojnë të ndryshmen. Këtë mund ta vërtetojë më së miri rasti i një vajze në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që edhe pse ishte tetraplegjike dhe kishte probleme me frymëmarrjen, ishte propozuar nga Partia Demokrate si kandidate për senatore e New York-ut. Shembuj të tillë nuk kanë ndodhur vetëm në vendet e zhvilluara europiane, por edhe në një shtet si Serbia, që shqiptarët shpesh e quajnë si fuqi baruti, apo si vend që prodhon urrejtje. Ajo ka arritur të pranojë në Parlament një anëtare tetraplegjike, dhe të mendosh që Serbia nuk është as anëtare e Bashkimit Europian. Ndërsa e pyet se çfarë do donte të ndryshonte në jetën e saj, ajo nuk nguron të të thotë me gjithë fuqinë e saj, se do të dëshironte të ndryshonte shumë gjëra… "Unë nuk dua që shoqëria të mendojë pozitivisht për mua, të paktën të më mendojë si një pllakë boshe, si një pllakë të bardhë, të cilën mund ta mbushin me informacion pasi ta kenë njohur. Mund të mendojnë pozitivisht apo negativisht nuk ka vlerë, e rëndësishme është të më njohin, të ma japin mundësinë të më njohin ashtu siç jam", rrëfen Anisa. Që të përballesh me një fakt të tillë, duhet të jetë padyshim e vështirë, pasi çdo ditë njeriu ballafaqohet me beteja të reja, jo më kot dilema më e madhe e njeriut është lufta e tij me veten, gjetja e një personi se ku duhet të jetë…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›