2009, në Tiranë lindën më pak fëmijë
Materniteti “Koço Glozheni” raporton punën gjatë një viti. Kërkohen investime të reja për “shtëpinë e gruas”
Këtë vit, në maternitetin “Koço Glozheni”, numri i nënave të cilat kanë humbur jetën gjatë lindjes ka qenë zero.
Ndërkohë që ka pasur ulje edhe të vdekshmërisë foshnjore, me një përqindje të konsiderueshme. Por ajo që vihet re gjatë vitit 2009 është ulja e numrit të lindjeve krahasuar me një vit më parë. Të dhënat janë bërë publike gjatë analizës së detajuar të punës në maternitetin “Koço Glozheni” nga drejtuesja e këtij institucioni, Rubena Moisiu.
Analiza vjetore
Konkretisht, sipas analizës së punës vjetore, në vitin 2009 kanë lindur në këtë maternitet 4090 bebe, më pak se në 2008-n, kur numri i lindjeve numërohej 4138.
Ka pasur 353 lindje të parakohshme gjatë vitit që lamë pas, ndërkohë që janë regjistruar 118 vdekje foshnjore.
Gjatë një viti janë kryer në këtë institucion rreth 2 mijë operacione, më shumë obstetrike dhe më pak gjinekologjike.
Janë kryer gjatë një viti rreth 52 mijë analiza ambulatore, mbi 6 mijë eko ambulatore, mbi 1 mijë konsulta dhe rreth 1 mijë papteste. Mjekët kanë kryer rreth 300 kolposkopi dhe 63 biopsi. Shumë pak pacientë kanë kryer vizitë tek andrologu, numri mbetet pothuajse i papërfillshëm. Sipas drejtoreshës së “Koço Glozhenit”, Rubena Moisiu, për 2010 synohet ulja e vdekshmërisë përreth lindjes, ulja e lindjeve me operacion si dhe informatizimi i të dhënave për çdo paciente. Sipas Moisiut, për këtë vit synohet shtimi i të ardhurave dytësore dhe përdorimi në masë i telemedicinës. Gjatë analizës vjetore të spitalit, i pranishëm ka qenë edhe ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili.
Rehabilitimi
Që në fillim të analizës, drejtoresha e maternitetit ka bërë një batutë, e cila ftonte në bashkëpunim pjesëmarrësit e politikëbërjes për të lobuar lidhur me mundësitë e rehabilitimit dhe rikonstruksionit të maternitetit, i cili dhe pse nga jashtë, mund të duket në kushte të mira, por ka nevojë për disa “meremetime”. Gjatë fjalës së tij, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, është ndalur në disa aspekte të punës së këtij institucioni. “Vlerësoj faktin që analiza vjetore demonstron një institucion me shëndet të mirë dhe që reflekton dhe efektin e reformave të fundit të ndërmarra në sektorin shëndetësor. Një sistem shëndetësor që vendos në qendër të tij transparencën ndaj pacientit, na bën të çlirohemi dhe nga disa ngjarje jo fort të pëlqyera që kanë ndodhur kohët e fundit në sektorin shëndetësor”. Sipas tij, qetësia profesionale, por dhe morale, na tregon se vetëm kështu mund të ecet para. Ministri i është përgjigjur pozitivisht dhe kërkesave të drejtorisë në maternitetit për investime të reja gjatë këtij viti. “Jemi përpjekur të reflektojmë me prioritet për maternitetet. Tashmë, në buxhetin e këtij viti, janë përfshirë dhe rikonstruksioni i fasadës, i sistemit të pompave dhe ai i kaldajës, aq i nevojshëm për këtë institucion”, theksoi Vasili.
#