Cani: Të ulen shpenzimet e buxhetit
Ish-guvernatori
Një ditë pasi INSTAT publikoi inflacionin, i cili arriti në masën 3.6%, ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani, i sugjeron qeverisë që të rishikojë në mënyrë urgjente buxhetin e shtetit 2010. Rishikimi i shpenzimeve do të ndikonte në ecurinë e monedhës vendase, e cila është nënçmuar ndjeshëm kohët e fundit. Sipas Canit, kursi i këmbimit ndikon direkt në inflacion, ndaj stabilizimi i tij do të ishte një masë për të zbutur çmimet. Sipas Institutit të Statistikave, çmimet e ushqimeve që pësuan rritjen më të madhe ishin kryesisht perimet e zarzavatet. Ndërkohë kërcënimi i mëtejshëm për të pasur sërish çmime të larta është energjia elektrike, e cila është rritur për familjarët dhe për bizneset. Sipas ekspertëve, një përqindje të rritjes së inflacionit në treg kanë dhënë edhe përmbytjet e Shkodrës, pasi dëmtimi i prodhimit vendas nuk i ka plotësuar nevojat e tregut, duke ndikuar në rritjen e çmimeve.
Ish-guvernatori i ka sugjeruar më herët qeverisë nisjen e një faze të re liberalizimi në ekonominë shqiptare, gjë që mund të çlirojë fonde dhe mund ta ndihmojë vendin të kompensojë uljen e të ardhurave nga emigrantët dhe zbehjen e investimeve të huaja. Në çdo rast, qeveria nuk e ka pranuar kurrë të diskutojë për krizën. Sipas Kryeministrit Berisha, ekonomia shqiptare është në ekspansion të plotë.
#