E Diel, 1 Nëntor 2026

“Romancë Dashurie”, pas një suksesi i sjell përsëri emocion publikut kryeqytetas

Izaura Ndoj

Regjisori Milto Kutali, sërish këtë fundjavë do ti sjell emocione publikut kryeqytetas. Ai do të ngjisë në skenën e Teatrit Kombëtar, në datat 8, 9 dhe 10 janar në orën 19:00 premierën e komedisë italiane “Romancë Dashurie”, pas një suksesi që pati në mes të dhjetorit. Pjesa e cila mban firmën e Aldo De Benedetit, sjell përsëri në skenën e Tetatrit Kombëtar një kaskë aktorësh, ku në rolet kryesore janë Roland Trebicka, Bujar Asqeriu dhe Anila Bisha të cilët performuan në një mënyrë brilante përgjatë dy netëve në ditët e dhjetorit. Muzika vjen nga Albana Petrela. Projekti “Romancë Dashurie” vjen si një projekt i përbashkët i Teatrit Kombëtar dhe Egnatia Teatër gjatë kësaj fundjave. Regjisori Kutali është shprehu se, “Këtë vepër e kisha punuar me shumë dashuri në vitin 2001, me një treshe shumë simpatike, Genci Fugën, Rozina Kostanin dhe Roland Trebickën. Kësaj radhe ishte diçka krejt ndryshe, duhet ta pranoj që ishte një ftesë e tyre dhe patjetër një dëshirë e imja pasi kjo hynë në fondin e veprave të dashura për mua. Jam shumë i kënaqur sepse kur i rikthehesh një vepre plotëson ca gjëra, ndoshta dhe unë plotësova një mangësi të punës time pasi si në rastin e parë si në rastin e dytë kam pasur kënaqësinë e madhe për arritjet. Kemi pasur në të dyja rastet interpretim të ndryshëm”. “Trebicka mbetet gjithmonë një artistë i madh i komedisë i cili di të procedojë bukur me karaktere të tilla që mbartin mbi vete një dramë njerëzore, Bujar Asqeriu një aktor me një karakter shpërthyes dhe Anila Bisha me një karakter të brishtë shpërthen në momentin e duhur. Tek “Romancë dashurie” kemi një personazh që vetëflijohet në një farë mënyrë duke u larguar nga dy njerëz të dashur”, cilësoi Kutali.
“Romancë Dashurie”, është një komedi lirike e komedianit italian Aldo De Benedetit. Sipas Kutalit, komedia ka mesazhe aktuale të familjes së sotme, jo vetëm shqiptare. Vepra është një ngjarje më shumë e jetuar nga krijuesi i saj, De Benedeti sesa një trillim letrar. Ajo ka në qendër raportet familjare, situata plot humor që provokohen nga ngacmime të shpirtit aventuroz të protagonistëve e që më pas prodhojnë realitete që mund të cenojë, madje të çojnë deri në shkatërrimin e familjes: Por mos të harrojmë heronjtë tanë janë pjesë e të përditshmërisë moderne. Si të tillë ata nuk provojnë precedentin “Ndarje” pasi shoqëria e sotme edhe pse jo rëndom prodhon ende shpirtra të brishtë që kanë të qëndrueshëm genin e së mirës njerëzore, vendosur kjo natyrshëm në frymën sunduese të mesazhit të komedisë: “Familja duhet mbrojtur me çdo kusht”. Mesazhi i veprës, për familjen duhet të kontribuojmë që të gjithë që ta mbrojmë me çdo çmim. Nëse ruajmë familjen, kemi ruajtur shoqërinë, kemi krijuar një precedent të mirë për të ardhmen e gjeneratave që vijnë pas, mendoj se ky realitet special që jep teatri në një orë e gjysmë, do të jetë pjesë e tërësisë së realiteteve tona të përjetuara në vazhdimësinë e jetës.

7 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›