E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moti i keq, probleme në të gjithë vendin

LIBRAZHD- Përkeqësimi i motit është shoqëruar me reshje të dendura shiu dhe bore në vend. Në Librazhd reshjet kanë shkaktuar rrëshqitje dheu duke dëmtuar tërësisht 3 shtëpi, ndërsa janë në rrezik dhe 13 të tjera. Mësohet se shtabi i emergjencave ka strehuar familjet e evakuara në spital dhe në shkollën e mesme, ndërsa po merren masa për banesat e tjera të cilat aktualisht nuk furnizohen me energji elektrike. Situatë e rënduar mbetet dhe në Lezhë e Rubik, ku rezultojnë të përmbyra dhjetra hektarë tokë, ndërsa reshjet e shiut kanë vijuar me intesitet që prej orëve të para të mengjesit. Probleme nga reshjet e borës në akset kryesore në veri të vendit, si në Tropojë, Kukës, e Pukë. Aktualisht qarkullimi në këto akse kryhet vetëm me zinxhirë, ndërsa rezultojnë të bllokuara disa komuna. Po kështu edhe në Mirditë, Dibër dhe Bulqizë janë bllokuar disa komuna dhe fshatra, ndërsa qarkullimi kryhet me vështirësi si pasojë e pranisë së akullit. Në Bulqizë një automjet ka dalë nga rruga duke shkaktuar vdekjen e një personi dhe plagosjen rëndë të dy të tjerëve. Reshje bore ka edhe në zonën juglindore të vendit, ku më e rënduar situata paraqitet në akset kryesore drejt Korcës dhe Pogradecit, ndërkohë po punohet me borëpastrueset për të lehtësuar qarkullimin. (l.s/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›