E Shtunë, 31 Tetor 2026

2010-t-a, fondet për ish-pronarët

Sipas parashikimeve buxhetore, fondet për dëmshpërblimin e ish-pronarëve dhe të përndjekurve do të vijnë në rritje. Për vitin 2010 fondi i kompensimit për ish-pronarët do të jetë 2.1 miliardë lekë. Nga ana tjetër, gjatë vitit 2010 do të përdoren fondet e privatizimit të OSSH-së. Ky operator u privatizua për 100 milionë euro dhe qeveria vendosi që 10 milionë euro të përdoren për kompensimin e ish-pronarëve. Këto fonde do të jenë të gatshme për t’u përdorur që këtë vit. Nga ana tjetër, pritet që brenda këtij viti të privatizohet edhe kompania e sigurimeve INSIG, ku 10 për qind të fondeve të privatizimit do të kalojnë për llogari të ish-pronarëve. Një sasi parash do të vijnë nga Agjencia e Legalizimeve. Deri tani janë mbledhur më shumë se 2 miliardë lekë të reja ose më shumë se 20 milionë dollarë, të cilat do të përdoren për kompensimin e ish-pronarëve. ALUIZNI do të rrisë fondin e tij në vijueshmëri dhe ish-pronarët e prekur nga procesi i legalizimeve do të kompensohen financiarisht nga fondi që po krijohet për ta. Njëkohësisht, krahas kompensimit financiar, pritet që gjatë vitit 2010 të fillojë edhe kompensimi fizik, por edhe kthimi fizik i pronës në të gjitha rastet e mundshme. Deri tani është krijuar një fond modest për kompensimin fizik për ish-pronarët, si rreth 200 objekte, pyje si dhe kullota. Këshilli i Ministrave ka dërguar në Kuvend ndryshimet ligjore, sipas të cilave, fondet për kompensimin financiar do të menaxhohen nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, duke bërë që asnjë fond të mos digjet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›