E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Zbatim Kushtetutës, jo pazar me Ramën

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, hodhi poshtë mundësinë e një kompromisi politik me Edi Ramën për të lëshuar poste, për të thyer bojkotin e Partisë Socialiste. Gjatë një takimi me anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së në Pogradec dhe Korçë, Meta u shpreh se mazhoranca është e hapur për dialog, por jo për pazare politike. Meta deklaroi se mazhoranca nuk do të bëjë një pazar të ulët për të dhënë postin e Presidentit, kryeprokurorit apo krerë gjykatash që opozita në vijë në Kuvend. Ai hodhi poshtë këtë mundësi, e cila është përfolur kohët e fundit. “Është krejtësisht e pajustifikuar dhe e pamoralshme, absolutisht, që të jenë të sigurt, nuk do t’u japim, as Presidentin, as kryeprokurorin, as kryetarët e gjykatave që i kërkojnë si pazar për të mbyllur një krizë që e kanë sajuar vetë, sepse kriza nuk ekziston. Kriza është thjesht çoroditja e tyre”, -deklaroi Meta.
Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Jashtëm, Ilir Meta, deklaroi më pas se Kushtetuta do të zbatohet edhe për mandatet e deputetëve. Ai u shpreh se nuk do të ketë lëshime duke shkelur ligjin apo Kushtetutën. Sipas Metës, dialogu është i mirëpritur, por pa prekur ligjin, duke nënkuptuar se thyerja e bojkotit të opozitës varet vetëm nga vullneti i PS-së për të hyrë në Kuvend dhe të bëjë detyrën. “Shqipëria ka një Kushtetutë dhe ajo duhet të zbatohet edhe për mandatet e deputeteve, edhe për pretendimet që kanë pasur të bëjnë. Është respektuar Kushtetuta dhe janë konsumuar të gjitha mjetet ligjore. Dialogu është gjithnjë i mirëpritur, por ai është refuzuar vetëm nga një person dhe kjo është çështje e tyre. Për të gjitha çështjet e tjera do të zbatohet Kushtetuta”, - shtoi Meta.
Kreu i LSI-së dënoi më tej bojkotin e PS-së duke e cilësuar si një turp. “Bojkoti është një turp për ata që e bëjnë, por edhe për vendin. Natyrisht që nuk është gjë pozitive, derisa ka një opozitë që bën gjëra të tilla”, - tha Meta. Ai e cilësoi si për të ardhur keq, pasi, sipas tij, Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s dhe një bojkot i tillë dëmton vetëm interesat e vendit drejt integrimit në Bashkimin Evropian. “Është për të ardhur keq, - u shpreh ai, - që ata nuk kanë kuptuar akoma asgjë se ku është Shqipëria sot. Shqipëria është një anëtar i NATO-s, Shqipëria është një vend i cili ka hyrë në një fazë të re dhe po përgatitet për t`u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, ndërsa ka dhe qëndrime të tilla si kjo mënyrë e të dëmtuarit të demokracisë, përmes një bojkoti”, - deklaroi nga Pogradeci kreu i LSI-së, Ilir Meta. Nga ana tjetër, edhe Partia Socialiste reagoi për deklaratën e bërë nga kreu i LSI-së, Ilir Meta. “Ndryshe nga Ilir Meta, që flet për pazare, pasi ai e sheh politikën si pazarin e radhës, Partia Socialiste kërkon rivendosjen e demokracisë në Shqipëri, respektimin e të drejtës së një populli për të vendosur lirisht përmes votës”, - tha Olta Xhaçka, deputete e zgjedhur e PS-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›