2011 afati i fundit për pasaportat ekzistuese

Aplikantëve të pasaportave biometrike u zhvlerësohet pasaporta e vjetër
TIRANË- Viti 2011 është afati i fundit i vlefshmërisë së pasaportave ekzistuese shqiptare, ndërsa personat që aplikojnë për pasaportë biometrike do t'u zhvlerësohet pasaporta e vjetër. Në kuadrin e dorëzimit të përgjigjeve të Pyetësorit Komisionit Evropian, për liberalizimin e vizave në hapësirën Shengen, qeveria shqiptare nëpërmjet Komitetit të saj Ndërministror bëri të ditur se afati i fundit për vlefshmërinë e pasaportave të vjetra do të jetë viti i ardhshëm.
Gjatë mbledhjes së djeshme të këtij Komiteti Kryeministri Sali Berisha theksoi se përveç afatit të pasaporta është zgjidhur edhe problemi i kontrollit për të dhënat kriminale të aplikanëve për pasporta biometrike. "Ka progres shumë të madh dhe është zgjidhur problemi i kontrollit të bazës së të dhënave kriminale për aplikuesit për pasaportat biometrike.
Kjo çështje ka marrë zgjidhje. Për sa i përket afatit të vlefshmërisë së pasaportave të vjetra, viti 2011 është përcaktuar si viti i fundit për përdorimi të këtyre pasaportave. Ndërkohë, për të gjithë ata që aplikojnë për pasaporta biometrike, krahas pajisjes me pasaportën e re, iu zhvlerësohet pasaporta ekzistuese", - tha dje Berisha.
Lidhur me procesin e përgjigjeve të Pyetësorit që po jepen nga administrata publike shqiptare, Kryeministri Berisha nënvizoi se në Shqipëri së shpejti do të mbërrijë një grup ekspertësh nga Bashkimi Evropian për të monitoruar nga afër situatën. Për këtë arsye, sipas Berishës të gjitha agjencitë në vend duhet të jenë të përgatitura për dhënë përgjigje të sakta gjatë plotësimit të Pyetësorit.
"Ne presim një grup të ri ekspertësh, të cilët vijnë për të inspektuar, për t'u njohur me progresin e bërë dhe për ta prekur në vend progresin e bërë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që Agjencitë që do të vizitohen, pasi ekspertët i zgjedhin vetë edhe kohë, edhe vendin dhe agjencinë, të jenë të përgatitura për përgjigjet më të sakta dhe për demonstrimin për të qartë të atyre që janë zbatuar dhe që janë në zbatim e sipër, në përputhje me udhërrëfyesin e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave", - u shpreh ai.