E Diel, 1 Nëntor 2026

Tetë vetë mbeten në dëborë, asnjë ndihmë nga shteti

SHKODËR/ Një furgon 8+1 me pasagjerë ka mbetur i bllokuar. Kolombi: Banorët nuk duhet të kishin lëvizur

SHKODËR - Një furgon 8+1 me pasagjerë ka mbetur i bllokuar në aksin Shkodër -Dukagjin në segmentin që lidh Pultin me Shoshin.

Edhe pse kjo ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës, publike është bërë vetëm të hënën nga personat që kanë qenë në furgon dhe që kanë udhëtuar për disa orë në këmbë nëpër dëborë e akull derisa kanë arritur në zonë ku ka pasur mundësi lëvizjeje. Ngjarjen e kanë pohuar dhe drejtues të Këshillit të Qarkut të Shkodrës, të cilët kanë pohuar se nuk ka qenë e mundur t'i vihej në ndihmë mjetit të bllokuar pasi ishte natë.

Sipas personave që kanë qenë duke udhëtuar në mjet, ata janë nisur nga Shoshi në drejtim të Shkodrës me një furgon linje që drejtohej nga shtetasi Tomë Gila. Në mes të Shoshit dhe Pultit, mjeti, edhe pse me zinxhirë, e ka pasur të pamundur lëvizjen për shkak të dëborës së ngrirë dhe rrugës së pakalueshme.

Drejtuesi i tij i ka telefonuar për ndihmë drejtorinë e rrugeve rurale dhe qarkun, por vetëm mesditën e së hënës është bërë i mundur kalimi i mjetit, që bashkë me drejtuesin e tij ka qëndruar mbi 48 orë në dëborë.

Sipas pasagjerëve, kanë qenë dy mjete që janë bllokuar dhe nuk kanë mundur të lëvizin, ku njëri është kthyer prapa, ndërsa ata pasi kanë pritur për disa orë se mos shteti u vinte në ndihmë, kanë dalë nga mjeti dhe kanë ecur në këmbë deri në Pult.

Siç e pohon dhe drejtuesi i furgonit, në mjetin e tij kanë qenë 7 persona, mes të cilëve edhe një fëmijë që më pas janë larguar dhe kanë ecur në këmbë. Ndërsa vetë ai ka qëndruar në furgon deri mesditën e së hënës, kur dhe është bërë i mundur zhbllokimi i rrugës.

Ai nuk ka dashur të lërë mjetin me të cilin siguron jetesën. Mësohet se Tom Gila ka harxhuar dhe karburantin pasi për ngrohje e ka lënë furgonin e ndezur dhe në këto kushte nuk ka mundur të kthehej prapa në Shosh, por ka mbetur aty. Vetëm mesditën e së hënës, kur është bërë i mundur kalimi, atij i është sjellë dhe karburanti dhe ka mudnr të lëvizë.

Sipas pasagjerëve të mjetit, aksionit për lirimin e rrugëve nuk i është bashkuar policia, e cila dhe pse është telefonuar prej tyre ka qëndruar indiferente dhe shteti është vënë në lëvizje vetëm të nesërmen dhe pas komunikimit me telefon me kryetarin e këshillit të qarkut, Gjovalin Kolombi. Ky i fundit shprehet se banorët nuk duhet të kishin lëvizur.

"Nuk ishte ndonjë situatë emergjence, me ndonjë të sëmurë, ishte një situatë që duhet të merrej parasysh nga ata banorë dhe të mos krijohen emergjenca artificiale", thotë Kolombi.

Ai vijon duke u shprehur se ndërmarrja e rrugëve rurale nuk ka mundësi të lërë mjete në gatishmëri për të zhbllokuar akset rurale malore që, edhe pasi lirohen, bllokohen përsëri nga bora që bie.

Po kështu ai shton se dhe Këshillli i Qarkut nuk ka mundësi financiare për të kontraktuar firma që të garantojnë mbajtjen të zhbllokuar të këtij aksi, ndonëse brenda tre ditësh do të bëhet tenderi përkatës me aq mundësi financiare sa ka. "Nuk mund të krijohen emergjenca artificiale me dëshirën e vetë qytetarëve që duan apo kanë nevojë të lëvizin në zonat e thella malore, përjashto rastet e emergjencave shëndetësore", përfundon Kolombi.

Të dhënat zyrtare: Situata në vend

Qarku Shkodër: Situata në rrethin e Shkodrës është normalizuar. Gjatë dy ditëve të fundit në rrethin e Shkodrës ka pasur 125 mm shi, ndërsa dje dhe gjatë natës që kaloi reshjet kanë qenë të pakta. Të gjitha rrugët për në fshatrat e komunave të përmbytura ditë më parë janë të kalueshme nga të gjitha llojet e mjeteve. Ka ende 1800 ha tokë me prezencë uji, 78 shtëpi të rrethuara nga uji dhe 3 shtëpi në prezencë uji.

Në rrethin e Malësisë së Madhe ka pasur reshje dëbore kryesisht në zonën veriore, në Kelmend dhe Theth. Trashësia e dëborës ka shkuar rreth 30 cm në zonat e banuara dhe 60 cm në male. Nuk ka komuna të bllokuara, por akset e rrugëve në këto zona kalohen me vështirësi dhe kryesisht natën dhe në mëngjes me zinxhirë, për shkak të ngricave. Aksi nacional Shkodër- Han i Hotit kalohet pa probleme. Në rrugë është në gatishmëri në punë një mjet borëpastrues.

Në rrethin e Pukës nuk po bien reshje bore dhe shiu, temperaturat vazhdojnë të jenë të ulëta. Rrugët janë të kalueshme, me vështirësi në disa segmente. Në rrugën Qafë-Mali - Qafë-Shllak - Kukës - Morinë dhe në rrugën Qafë-Mali - Fierzë është i detyrueshëm përdorimi i zinxhirëve. Vazhdon të mbetet e bllokuar rruga për në Komunën Iballë.

Qarku Lezhë: Situata paraqitet normale, pavarësisht se reshjet kanë qenë intensive. Në shkallë qarku rrugët nacionale dhe rurale janë plotësisht të kalueshme dhe po mbahen në kontroll të vazhdueshëm nga Policia e Qarkullimit Rrugor. Hidrovoret janë në gatishmëri dhe punojnë me kapacitet të plotë.

Qarku Kukës: Janë ndërprerë reshjet intensive të shiut dhe reshjet e dëborës. Në të gjithë rrjetin rrugor kombëtar nuk ka probleme të veçanta me qarkullimin e automjeteve, me përjashtim të rënies së disa inerteve në vendin e quajtur Nimçë, Shishtavec, ku po punohet për heqjen e tyre. Në qarkun e Kukësit janë të bllokuara rrugët për në komunat: Arren, Zapod dhe Grykë Çajë, si dhe në disa fshatra të komunës Lekbibaj, Tropojë.

Qarku Dibër: Janë ndërprerë reshjet e shiut dhe dëborës. Temperaturat vazhdojnë të jenë të ulëta deri në -20 C, por pa ngrica. Të bllokuara janë komunat Lurë, Kala e Dodës në rrethin e Dibrës dhe Komunat Ostren dhe Trebisht, si dhe disa fshatra të Komunës Martanesh, në rrethin e Bulqizës. Segmenti rrugor Qafë Bualli-Bulqizë është i kalueshëm, por nevojitet përdorimi i zinxhirëve.

Qarku Korçë: Situata paraqitet normale. Ka pasur borë në segmentin rrugor Qukës - Qafë-Thanë dhe aktualisht është ndërprerë. Në Qafën e Thanës dhe Qafën e Qarrit qarkullimi bëhet me zinxhirë. Në rrugën nacionale Gramsh- Lozhan- Korçë ka pasur një rrëshqitje në Moglicë, por punonjësit e Ndërmarrjes së Mirëmbajtjes së Rrugëve po punojnë me një fadromë për zhbllokimin e saj. Në akset e tjera rrugore nuk ka probleme.

Parashikimi i motit për datat 2-4 shkurt

2 shkurt 2010: Mot me kthjellime dhe vranësira të dobëta, të cilat mund të shoqërohen me ndonjë reshje të dobët lokale. Reshjet në lartësitë mbi 300 m do të jenë në formë dëbore. Temperaturat ekstreme do të zbresin ndjeshëm dhe pritet të luhaten: minimalja në vendet malore do të arrijë deri në -8 0C, ndërsa maksimalja do të regjistrohet në zonën e ulët deri në 11 0C.

3 shkurt 2010

Mot me vranësira, të cilat do të vijnë duke u shtuar në orët e vona të pasdites dhe pritet të shoqërohen me ndonjë shi të izoluar me intensitet më të madh se një ditë më parë. Temperatura minimale me një rritje rreth 6-7 0C, pritet të mos zbresin nën -1 0C, ndërsa temperatura maksimale deri në 10 0C.

4 shkurt 2010

Mot me vranësira, të shoqëruara me reshje të pakta shiu, por edhe kthjellime të përkohshme. Në lartësitë mbi 600 m reshjet do të jenë në formë dëbore. Temperaturat ekstreme pritet të luhaten: minimalja deri në -2 0C, ndërsa maksimalja mund të arrijë deri në 14 0C

Shkumbini rrëmben 170 pisha e 200 m tokë, braktisen tre shtëpi

ELBASAN - Tre shtëpi janë braktisur nga familjarët, 200 metra tokë dhe 170 pisha janë marrë nga ujërat e lumit Shkumbin për shkak të prurjeve të shumta të këtyre ditëve dhe gërryerjes së vazhdueshme nga mungesa e një argjinature mbrojtëse përgjatë lumit.

Më problematike shfaqet situata në fshatin Shushicë ku gërryerjet kanë marrë mjaft tokë bujqësore dhe në vendin e quajtur Pishat në anë të lagjes "Çamëria", poshtë urës së Shkumbinit. Në këtë zonë rrezikohen edhe tri shtëpi të cilat janë lënë në mëshirë të fatit.

Objekte të ndërtuara pa leje në territorin e mbjellë me pisha për të mbrojtur erozionin, janë nën kërcënimin e ujit. Familjet kanë braktisur shtëpitë e ndërtuar rishtazi për shkak se çdo ditë e më shumë uji po i afrohet objekteve deri në themele.

Banorët thonë se në këtë territor duhet të ishin ndërtuar prita mbrojtëse dhe argjinatura, por kjo gjë nuk u bë dhe këtë vit lumi më kërcënues se asnjëherë po i afrohet dhe do të rrëmbejë shtëpitë nëse nuk ndërhyhet. Ata kanë kërkuar ndihmën e shtetit të shpëtojë investimin e shumë viteve punë.

**********************

Ujërat e zeza janë bashkuar me ujin e pijshëm në komunën Mbrostar Ura të Fierit
Fier, 70 banesa përmbyten nga uji

FIER - Qindra banorë të komunës Mbrostar Ura të rrethit të Fierit janë ngritur herët në mëngjes të alarmuar kur kanë parë ujërat të futen në banesat e tyre. Shirat e dy ditëve të fundit të rëna me intensitet kanë vërshuar duke përmbytur një lagje të tërë.

Janë mbi 70 banesa të cilat janë bllokuar nga uji teksa në shumë prej tyre janë dëmtuar sende dhe orendi shtëpiake. Shirat kanë përmbytur edhe rrugë dytësore duke izoluar njëkohësisht edhe lëvizjet e banorëve për nevoja të tyre personale.

Ndërkohë shkolla 9-vjeçare e kësaj komune nuk është hapur, pasi prindërit nuk kanë lejuar fëmijët e tyre të shkojnë në shkollë për shkak të situatës së krijuar. Familjet Agim Shaho, Veno Jonuzi, Qazim Serjani, Ramadan Serjani, Xhevahir Mone, Fatmir Refati, si dhe dhjetëra familje të tjera janë të gjitha nën ujë.

Ata thonë se kanë dëmtime në ushqimet e blegtorisë ndërsa ujërat janë futur brenda banesës. Në shtëpinë e Veno Jonuzit uji i shiut është futur në një lartësi prej 30 centimetrash, duke nxjerrë jashtë funksionit orenditë shtëpiake, si dhe pajisjet elektroshtëpiake.

Problemi më i madh në këtë zonë qëndron në faktin se ujërat e zeza janë bashkuar me ujin e pijshëm, si rezultat i përmbytjes edhe të kasolleve ku mbahen bagëtitë. Një ndotje dhe një erë e pakëndshme ndihet kudo përreth. Si rrjedhojë, komuna ka vënë në dizpozicion një mjet për të hapur një kanal, i cili do të lidhë kolektorin kryesor të kësaj komune me ujërat që derdhen në kanalin e hapur.

Sipas drejtuesit të punimeve për hapjen e këtij kanali, do të çahet rruga kryesore, me qëllim thithjen e ujërave që kanë përmbytur banesat dhe rrugët e kësaj lagjeje. Shumë prej banorëve kanë hapur kanale për të larguar ujin nga shtëpitë. Ata thonë se shkak për këtë situatë është bllokimi i kolektorit, i cili pak muaj kishte që ishte hapur, por është bllokuar që me shirat e para.

Reshjet, rruga Berat - Skrapar me një kalim

BERAT - Sipas informacioneve nga shtabi i emergjencave në Prefekturën e Qarkut të Beratit, reshjet e dy ditëve të fundit kanë rënduar situatën rrugore në aksin nacional Berat - Skrapar. Ndërsa në zonat malore ka pasur reshje dëbore, në rrugët rurale dhe atë nacionale janë shfaqur probleme të ndryshme, kryesisht bllokime të pjesshme për shkak të rrëshqitjes së dherave dhe rrëzimit të gurëve.

Kështu informohemi se në aksin rrugor nacional Berat - Skrapar për shkak të shirave janë krijuar probleme për shkak të gurëve dhe dherave që kanë rrëshqitur nga pjesa e sipërme e rrugës dhe automjetet detyrohen të kalojnë në një kalim, duke shtuar kështu vonesat dhe kaosin në këtë aks.

Më kritike kjo situatë është në pjesën midis Bogovës dhe Kakrukës. Ajo që është më shqetësuese ka të bëjë me faktin që dherat dhe gurët vazhdojnë të bien dhe rruga bllokohet, edhe pse punëtorët mundohen ta pastrojnë atë. Drejtuesit e automjeteve kanë bërë apel që të merren masa që ky aks të bëhet i qëndrueshëm, pavarësisht se autoritetet lokale pranojnë se nuk kanë fuqi investuese. R.Dosti

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›