E Shtunë, 31 Tetor 2026

2012, viti i sukseseve

Nga Express më 13 shtator 2011 në ora 20:35

Mesfushori i Bayern Munichut, Bastian Schweinsteiger shpreson që viti 2012 të jetë më i suksesshmi i tij në karrierë, duke fituar trofe të ndryshëm. Zemra e tij është përqendruar sidomos të dy trofetë më të mëdhenj.

Përfaqësuesi gjerman beson se Bayerni ka kualitet për ta fituar Ligën e Kampionëve dhe është optimist se Gjermania ka kapacitet për të triumfuar në Euro 2012. Ai nuk e harron as Bundesligën dhe DFB-Pokal (Kupën), ku Bavarezët janë favoritë absolut, pas startit impresionues të sezonit të ri.

“Unë kam objektiv këtë sezon dhe ai është që ta fitoj Ligën e Kampionëve me Bayernin dhe të bëhem kampion i Evropës me Gjermaninë, në Poloni dhe Ukrainë”, deklaroi Schweinsteiger për tabloidin gjerman, ‘Bild’. “Ta arrij këtë sukses të dyfishtë me Bayernin dhe Kombëtaren, tashmë duket më e mundshme, në krahasim me vitet e kaluara”, shtoi ai.

Bayerni ka arsye ta lakmojë më shumë Ligën e Kampionëve, pasi që finalja do të mbahet në stadiumin e tyre – Allianz Arena. “Duke e pasur parasysh se finalja do të luhet në stadiumin tonë, kjo nuk është ngarkesë për ne. sipas mendimit tim, ne kemi ekip më të fortë sesa dy vjet më parë dhe kjo është arsyeja se pse po them se ne jemi ndër 5-6 favoritët për ta fituar Ligën e Kampionëve”, vazhdoi mesfushori gjerman.

Bayerni do ta nis kampanjën në Ligën e Kampionëve të mërkurën mbrëma (sonte), kur do të përballet me Villarrealin. Manchester City e Napoli janë kundërshtarët tjerë të Bavarezëve, në fazën e grupeve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›