21 Janari Sekretet e akuzës
Tre arreste, i pari për vrasje dhe dy për prishje të provave të krimit, tronditën Tiranën politike. Komandanti i gardës nën akuzë direkte për vrasje, e po kështu, edhe shoferi i tij dhe specialisti i IT-së në kryeministri që manipuloi serverin mbas tragjedisë. Akuza kërkon imunitetin e tre deputetëve socialistë që tregojnë për revistën Java çfarë bënë në ditën e zezë të 21 Janarit.
Nga Lorenc Vangjeli
Ka diçka të pagabueshme që i bën bashkë tre deputetët socialistë Baraj, Balla dhe Doshi. Jo përkatësia e tyre politike, as akuza e përbashkët që ka formuluar për të tre Prokuroria e Përgjithshme për Organizim dhe pjesmarrje në grumbullime e manifestime te paligjshme, as bindja e tyre për heqjen vullnetare e imunitetit të enjten e ardhshme. Tre deputetët socialistë i bashkon edhe një fakt i thjeshtë: në mbasditen e të Premtes së Zezë të 21 janarit 2011, në tre episode të ndryshëm e të njëpasnjëshëm, janë goditur me granata me gaz lotsjellës. Edhe Baraj, edhe Doshi, edhe Balla kanë dëshmuar në prokurori se kanë qenë viktima të kësaj arme që policie përdori pothuaj që në fillim të demonstratës së opozitës, njëlloj si dhe shumë nga kolegët e tyre të tjerë deputetë që ndodheshin në Bulevard atë ditë, njëlloj si dhe qindra demonstrues të cilët provuan në sy dhe në rrugët e frymëmarrjes shijen dhe efektet e tmerrshme të gazit luftarak. Po kështu, secili nga ta, në mënyrë të dokumentuar në video, dëshmon se ka bërë përpjekje krejtësisht për të kundërtën e asaj që akuzohen: janë përpjekur të shmangin dhunën e policisë mbi demonstruesit dhe të ndalojnë demonstruesit e zemëruar që qëllonin policinë.
Në një rrotullim të befasishëm të hetimit të tragjedisë, të tre deputetët e shohin veten nën akuzë dhe nën kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të tyre. Ky zhvillim i papritur erdhi në të njëjtën ditë, kur nën akuzë për vrasje u vu komandanti i Gardës së Republikës, specialisti i IT-së në kryeministri dhe një gardist tjetër, shofer i komandantit të gardës. Një lojë shahu juridik të llojit tre kundër tre, që ndan palët që ishin përballë në 21 Janar në bastin e tyre të ri me drejtësinë. Një bast që shkon përtej fateve vetjakë, por që duket se do të ndryshojë shumë fate të tjerë, njerëzorë dhe politikë të përfshirë në këtë lojë të përgjakshme që nuk nisi në 21 Janar, por që në 21 Janar morri vulë gjaku. Kryetari i PS-së Rama kërkon thellim të hetimeve, duke nisur me atë vetë si drejtues i demonstrimit, por dhe me hetimin e dy kundërshtarëve të tij politikë, Berisha dhe Basha për rolin e tyre në shtypjen me gjak të demonstratës.
Hetimi i vrasjeve
Mendohet se dosja që është duke mbyllur prokuroria ka tre pjesë, që kanë të bëjnë me vrasjet e demonstruesve, me organizatorët dhe demonstruesit që goditën policinë. Për vrasjet tashmë ka dy emra direkt të implikuar: komandanti i gardës Ndrea Prendi dhe gardisti Agim Llupo që ka tashmë pothuaj një vit në qeli. Situata e Prendit përpara ligjit është edhe më e komplikuar, jo vetëm për shkak të akuzës se ka kryer vrasjen e një demonstruesi, Faik Myrtajt, por edhe se ka bërë veprime për të mbuluar provat materiale që provonin një gjë të tillë. Ai ka ndryshuar tytën dhe ka dëmtuar gjilpërën e pistoletës së tij të shërbimit. Edhe pse në fazën e parë, akuza ndaj tij do të mbështetet në disa pika, kryesisht në ligjin Për përdorimin e armëve të zjarrit. Ky ligj, lejon përdorimin e armëve …vetëm për të mbrojtur jetën, vetëm me paralajmërim dhe me kusht që karakteri i mbrojtjes të jetë në proporcion me rrezikshmërinë e sulmit dhe dëmi i shkaktuar të mos jetë më i madh se dëmi i zmbrapsur në kushtet e nevojës ekstreme. Por nuk ka vetëm kaq; ligji ndalon përdorimin e armëve të zjarrit në vende publike, ku ka mbledhje e grumbullime njerëzish dhe vihet në rrezik jeta e të tjerëve, me përjashtim kundër personave të veçantë që kryejnë vepra të dukshme dhune. Demonstruesi i vrarë Myrtaj nuk përfshihet në asnjë nga këto kategori. Ai thjesht është ekzekutuar. Për më shumë, krismat e pistoletës së Prendit kanë shkelur rëndë edhe Konventën Evropiane për Të drejtat e Njeriut që sanksionon se E drejta e çdo njeriu për jetën mbrohet me ligj. Askujt nuk mund ti privohet jeta qëllimisht, me përjashtim të rastit kur zbatohet një vendim gjykate pas dënimit për një krim për të cilin dënimi është parashikuar me ligj.
Demonstruesit
Disa demonstrues u ndaluan përgjatë zhvillimit të protestës, ndërsa dhjetra të tjerë, në kundërshtim me ligjin, u ndaluan deri disa ditë më pas në banesat e tyre. Shumica kanë dalë në gjyq dhe janë dënuar nën akuzat e kundërshtimit të forcave të rendit, goditjen e tyre për shkak të detyrës dhe shkatërrimit të pronës. Vëzhgues politikë, opozita, por dhe zyra e Avokatit të Popullit dhe ekspertë të pavarur konstatuan se aktet ligjore ndaj tyre janë kryer në kundërshtim me ligjin.
Policia, çfarë dështimi
Akuza publike ka provuar se nuk ka pasur asnjë kontakt të policisë me drejtuesit e demonstratës për të parandaluar dhe për të pasur bashkëpunim në eliminimin e dhunës që në fillesën e saj. Për më shumë, forcat e ndërhyrjes së shpejtë dhe të policisë ishin të pajisura, në kundërshtim me ligjin, me armë zjarri. Por gafa e madhe e drejtuesve të saj që dhanë urdhër të përdorej gazi lotsjellës, konsiderohet dhe si një nga shkaqet që përshkallëzoi dhunën. As forcat e rendit nuk ishin të pajisura me mjete kundragaz dhe kur granatat u hodhën në bulevard, vetë policia u shpartallua dhe braktisi detyrën e saj. Hollësi të tjera që kanë të bëjnë me vendosjen e gabuar të linjës së mbrojtjes së policisë dhe distancën e tyre me trupat e Gardës, ngatërrimi i kompetencave mes tyre në veprimin konkret në terren, ishin të tjera shkaqe që ndikuan në atë çfarë ndodhi. Absurdi kaloi çdo kufi kur një pjesë e gardës u vendos në pozicion në ambientet e jashtme të kryeministrisë, përtej detyrës dhe misionit të saj dhe u bashkua edhe garda, edhe policia, edhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë. Për të arritur në pikën tragjike, atëherë kur demonstrata po mbyllej, me të shtënat që morrën katër jetë njerëzish dhe plagosën dhjetra të tjerë.
***
Revista Java ka intervistuar të tre deputetët socialistë nën akuzë dhe ata kanë shpjeguar momentet e rënda të mbytjes në gjak të demonstratës, por dhe rolin e tyre vetjak dhe pozicionin përpara akuzës. Nuk flasin drejtpërdrejt për politikë, nuk e lidhin hetimin ndaj tyre me politikën, por duke besuar se i shërbejnë drejtësisë, thonë se janë të gatshëm që të provojnë përmes fjalëve, provën e madhe se atë ditë, shteti kishte kaluar në gjuhën e forcës dhe tejkalimin mizor të saj nëpërmjet armëve
Bare: Po, unë morra leje për demonstratën
Ish-kryetari i PS-së për Tiranën Besnik Bare është i qetë. Ti puçist? Njeriu që e pyet nuk harron të qeshë. Gjithkush që e njeh profesorin dhe shkencëtarin kimist, deputet i PS-së, e di mirë që dhuna dhe Bare nuk kanë asgjë të përbashkët. As Doktori vetë nuk e pranon një gjë të tillë, thotë kalimtari i rastit anës barit ku Bare shpjegon për Java dinamikën e veprimeve të tij në 21 Jana