E Hënë, 2 Nëntor 2026

21 Janari KiE Prokuroria nen presion. U shkelen te drejtat e njeriut

“Duhet një hetim tërësor, i paanshëm dhe i besueshëm mbi shkeljet e të drejtave të njeriut që ndodhën në Tiranë në 21 janar”. Nis kështu raportimin  e tij para Këshillit të Europës në Strazburg, komisioneri për të drejtat e njeriut, Thomas Hammarberg. Pas një vizite tre ditore në Shqipëri ai vlerëson se gjatë demostratës u shkelën të drejta e njeriut dhe se “personat përgjegjës për aktet e dhunshme duhet të japin llogari për to”.

“Kjo është e rëndësishme si për të vendosur drejtësinë ashtu edhe për të parandaluar dhunën në demonstratat dhe protestat e ardhshme politike”- deklaroi Komisioneri.Hamerberg mirëpriti faktin se partitë politike ia lanë në dorë prokurores së përgjithshme përgjegjësinë e hetimit, por shpreh keqardhjen për deklaratat mediatike kundër saj.

“Polarizimi i skajshëm politik e bën veçanërisht të vështirë dhe delikate detyrën e Prokurorisë së Përgjithshme.
Është e rëndësishme që gjithsecili të shmangë ndërhyrjet në hetimet që kanë nisur dhe që autoritetet përkatëse, duke përfshirë dhe policinë, të bashkëpunojnë në mënyrë te plotë dhe në kohën e duhur me prokurorinë” përfundoi komisioneri.
Sipas tij gjatë qëndrimit në Tiranë pak javë më parë ka marrë dy variante të kundërta për 21 janarin. Duke vlerësuar asistencën amerikane në hetim, komisioneri për të drejtat e njeriut sugjeroi në raportin e tij që komuniteti ndërkombëtar të vazhdojë t’u përgjigjet pozitivisht kërkesave për asistencë të Shqipërisë.

Gjatë vizitës së tij komisioneri u takua me presidentin e republikës, kryeministrin, ministrin e Drejtësisë, atë të Brendshëm, prokuroren e përgjithshme dhe përfaqësues të opozitës.

Elona Gjylmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›