21 Janari, prokurorët u rikthehen pamjeve filmike
Tiranë- Prej më shumë se dy ditësh, hetuesit e dosjes “21 Janari” kanë vendosur t’u rikthehen pamjeve filmike, të marra ditën e demonstratës, për identifikimin e të tjerë gardistëve të dyshuar si të implikuar në ngjarjet e asaj dite. Grupi prej pesë hetuesish, të caktuar për zbardhjen e ngjarjes, kanë administruar thuajse të gjitha pamjet filmike të marra më 21 janar, qoftë nga kamerat e televizioneve, apo edhe nga ato të policisë e të Gardës. Të pestë hetuesit, janë urdhëruar të shikojnë me kujdes të gjitha veprimet e gardistëve, apo edhe të punonjësve të policisë, të cilët gjithashtu janë nën hetim për tejkalim kompetencash. Sipas burimeve të rezervuara mësohet se vendimi për t’u kthyer edhe një herë te pamjet filmike, ka ardhur pasi ende nuk ka përfunduar procesi i identifikimit të punonjësve të Gardës, të caktuar me shërbim pranë Kryeministrisë më 21 janar. Deri tani është bërë i mundur identifikimi i rreth 50 gardistëve, një pjesë e të cilëve kanë mbetur të plagosur atë ditë, por ende organi i akuzës nuk ka mundur të gjejë gjeneralitetet e gjithë gardistëve. Pamjet filmike, sipas burimeve pritet të ndihmojnë hetimet edhe për pjesën tjetër të çështjes, që ka të bëjë me organizatorët apo nxitësit e dhunës në demonstrata, por edhe për punonjësit e policisë, apo eprorët e tyre që urdhëruan përdorimin e dhunës dhe gazit lotsjellës për shpërndarjen e demonstruesve. Nga të dhënat e deritanishme rezulton se nëpërmjet pamjeve filmike, hetuesit kanë mundur të identifikojnë edhe disa gardistë të tjerë, të pozicionuar me shërbim në pjesën veriore dhe para Kryeministrisë, të cilët do të thirren për t’u marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen. Deri tani, grupi hetimor ka arritur të marrë dëshmitë e të paktën 10 efektivave të gardës dhe pesë drejtuesve të saj, nga të cilët 4 janë të arrestuar, ndërsa të paktën pesë të tjerë janë nën hetim, si të dyshuar për tejkalim kompetencash, me pasojë vrasjen e katër personave dhe plagosjen e disa të tjerëve. Paralelisht, hetuesit vijojnë me pyetjen e dëshmitarëve, të cilët kanë parë nga afër vrasjen e Faik Myrtajt dhe Aleks Nikajt, i cili ndërroi jetë pak ditë më parë në Turqi. L.Bakillari