Ekspertiza e armës liron nga akuzat gardistin e grupit të zjarrit
Tiranë- Prokuroria e Tiranës vendosi dje të lirojë një prej katër gardistëve të arrestuar tre ditë më parë, nën akuzën e vrasjes në bashkëpunim në demonstratën e 21 janarit. Në një seancë me dyer të mbyllura, ku fillimisht nuk kanë munguar as efektivët e shumtë të Gardës, në mbështetje të shokëve të arrestuar, akuza vendosi të tërhiqet, pasi provat nuk ngarkonin me përgjegjësi gardistin Agron Malaj. Rreth mesditës së djeshme, salla e vogël në katin e dytë të Gjykatës së Tiranës ishte e tejmbushur nga gardistë, shokë dhe të afërm të tre të arrestuarve. Fillimisht, në sallën ku do të zhvillohej seanca gjyqësore u dyndën thuajse të gjithë të pranishmit, një pjesë e të cilëve edhe të armatosur me armët e shërbimit, pasi efektivët e paktë në numër të policisë nuk mundën t’i kontrollonin dot të gjithë. Mes mbështetësve të gardistëve të arrestuar u vu re edhe prania e Sali Lushës, një personazh mjaft i njohur për shkak të të shkuarës së tij. I pranishëm në seancë ishte edhe komandanti i Njësisë Speciale, Alfred Ahmetcenaj, i cili u lirua nga Gjykata dy ditë më parë. Lushaj, së bashku me personat që e shoqëronin, fillimisht zunë vend në sallë, ndërsa përfaqësuesit e akuzës kërkuan nga gjykata zhvillimin e seancës me dyer të mbyllura, pasi rrezikohej sekreti i hetimit për këtë çështje. Kjo kërkesë u kundërshtua nga avokati i njërit prej gardistëve të arrestuar, Marash Ibraj, i cili tha se qoftë i mbrojturi prej tij, apo dhe të arrestuarit e tjerë janë, këtu për të dëshmuar dhe nuk kanë asgjë për të fshehur. Avokati akuzoi prokurorinë se po kërkon të fshihet, pasi ka akuzuar gardistët pa prova. Pas këtij debati, gjykatësi Shkëlqim Mustafa vendosi boshatisjen e sallës dhe vijimin e seancës me dyer të mbyllura. Pas rreth 30 minutash, gjykata vendosi lirimin e gardistit Agron Malaj, i cili kishte detyrën e komandantit të një prej skuadrave të njësisë speciale. Sipas burimeve mësohet se kërkesa është bërë në seancën e djeshme nga dy përfaqësuesit e prokurorisë, të cilët thanë para gjykatës se nuk kanë provat e mjaftueshme për mbajtjen e Malajt në qeli. Sipas tyre, nga akt-ekspertimi balistik i armës që kishte atë ditë gardisti Malaj, nuk rezulton të jetë qëlluar. Por prokurorët e çështjes ripërsëritën kërkesën për mbajtjen në qeli të tre gardistëve të tjerë: Gazmend Ahmetaj 38 vjeç, Sadik Çela 45 vjeç, dhe Mark Nikolli 28 vjeç, të cilët ishin pjesë e skuadrës, që nga prokuroria cilësohet si grupi “i zjarrit”. Sipas planit të masave, të firmosur nga komandanti i Gardës, Ndrea Prendi, këta persona, nën komandën e majorit Agim Llupo, janë urdhëruar të qëllojnë në rast rreziku. Fakti që gardistët kanë qëlluar, pranohet edhe nga vetë ata, të cilët para prokurorëve kanë deklaruar se kanë qëlluar vetëm në ajër dhe asnjëherë në drejtim të demonstruesve. Megjithatë, përveç faktit se armët e tre gardistëve të arrestuar kanë qëlluar pasditen e 21 janarit, organi i akuzës nuk ka paraqitur asnjë provë tjetër para gjykatës, e cila ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e dhënë po vetë, tre ditë më parë, duke caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 30 ditë.