E Shtunë, 31 Tetor 2026

21 dhjetor

Edmond Tupja Për një kohë të gjatë kam banuar në Tiranë te vendi i quajtur 21-shi. D.m.th. te “21 Dhjetori”. Pa e ditur se çfarë përfaqësonte kjo datë. Dija vetëm që aty, në kohën e qepës moniste, gjendej një ndërmarrje ndërtimi pikërisht me emrin “21 Dhjetori”. Dija gjithashtu se pas zgërlaqjes së qepës së kalbur moniste edhe te ne, kryqëzimit në fjalë iu u vu një emër tjetër, por në gojën e popullit tiranas, mbijetoi dhe vazhdon të mbijetojë emri numëror “21-shi”. Mjerisht, pakkush e di që ky numëror  ende i përdorur si emër i një kryqëzimi rrugësh nga më të zhurmshmit e kryeqytetit tonë, i është vënë atij në kohën e qepës famëkeqe të sapopërmendur, në kujtim të ditëlindjes së Stalinit (21 dhjetor 1879) dhe, po aq mjerisht, ende përdoret sot nga tiranasit dhe jo tiranasit, ashtu kot, për inerci, dhe, me shumë gjasë, do të përdoret deri sa t’i vijë fundi botës. Turp, gjithsesi, për një vend demokratik si i yni që ka vuajtur nga diktatura envero-staliniste.Kjo përsiatje lidhur me 21-shin, të paktën në sytë e mi, mori një ndriçim të ri, të beftë, madje të frikshëm, ditën kur në gazetën më të shitur të kryeqytetit, lexova ndër të tjera, grafikun e protestave të Partisë Socialiste të Shqipërisë për hapjen e kutive të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit: protesta e fundit ishte parashikuar të zhvillohej në Tiranë, pikërisht më 21 dhjetor, pra në 130-vjetorin e ditëlindjes së Stalinit. Të jetë kjo vallë një koincidencë, thjesht koincidencë? Apo... një rreng që nënvetëdija i ka luajtur kryetarit të Partisë Socialiste aq më tepër që emri Stalin rimon me emrin Edvin (nëse vërtet në regjistrin e gjendjes civile zoti Rama emrin e ka Edvin dhe jo Edi)? Sikur të jetë kështu, atëherë le të ndodhë mrekullia: protesta e Partisë Socialiste më 21 dhjetor duhet patjetër të zhvillohet te sheshi ende i quajtur i 21 Dhjetorit! Nëse është ndryshe, atëherë zoti Rama duhet të gjejë një datë tjetër për të zhvilluar protestën e parti-çifligut të vet. Ose, më mirë akoma, të mos e zhvillojë fare atë. Po, po, i dashur lexues i vëmendshëm dhe i paanshëm i rubrikës sime të së dielës, unë jam i mendimit që do të bënte shumë mirë zoti Rama të mos e zhvillonte atë protestë edhe për një arsye tjetër. Madhore. Që lidhet gjithashtu me nënvetëdijen e tij. Të paktën nën dritën zhbiruese të psikanalizës më klasike. Po shpjegohem.Numri 21 përbëhet nga një 2-sh dhe nga një 1-sh. Pra, 2-shi në njërën anë dhe 1-shi në anën tjetër. Por 2 plus 1 baras 3. çfarë mund të përfaqësojë treshi? Frojdi, babai i psikanalizës, na mëson se për atë vetë ky është numri seksual par excellence (si simbol i organeve gjenitale të mashkullit, nga të cilat dy janë njësoj kurse njëri është ndryshe edhe si peshë, edhe si formë, edhe si aftësi për të ndryshuar vëllim, ngjyrë, fortësi e temperaturë); nga ky numër rrjedhin nocione themelore si trinia, triadha, e treta e vërteta (në italishte non c’è due senza tre kurse në frëngjishte jamais deux sans trois), çka për zotin Rama do të thotë: edhe kryetar Bashkie, edhe kryetar Partie, edhe kryetar... Shqipërie, gjë që tregon qartë se kemi të bëjmë me një grumbullim funksionesh të rëndësishme që ilustron babëzinë e zotit Rama për pushtet.Nga ana tjetër, gjithmonë sipas meje, te togfjalëshi “21 dhjetor”, kemi pjesën “dhjet” që të kujton, pa asnjë dyshim, foljen vulgare “dhjes” (u kërkoj ndjesë syve të moralshëm të cilët, në njëfarë mënyre, po i detyroj kështu të lexojnë këtë fjalë kutërbuese). Ja, sesi, fare papritmas, seksualiteti na u ngatërroka me skatologjinë dhe këtu nis perversiteti. Një perversitet që, duke u shkartisur me politikën, të kujton çekuilibrin e thellë psikosomatik të disa diktatorëve të shekullit të kaluar si Hitleri. Si Stalini gjithashtu. Që ka lindur më 21 dhjetor 1879. Dhe pikërisht 130 vjet më vonë, kreu i Partisë Socialiste të Shqipërisë cakton pikërisht 21 dhjetorin, si datë për protestën e paralajmëruar të parti-çifligut të vet në Tiranë. Koincidencë? Vërtet koincidencë? Apo fatalitet?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›