E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: LSI do të qëndrojë larg tensioneve false

 Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, së bashku me nënkryetarin e Kuvendit dhe deputetin e LSI-së në qarkun e Beratit, Nasip Naço, zhvilluan dje disa takime me strukturat e LSI-së në Berat, Poliçan, Skrapar. Gjatë zhvillimit të këtyre takimeve, anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së kanë vlerësuar pjesëmarrjen dhe angazhimin e LSI-së në Qeverinë e Integrimit. Në fjalën e tij kryetari i LSI-së, Meta, është ndalur gjerësisht në procesin e integrimit të Shqipërisë dhe reformat integruese që përbëjnë angazhimin kryesor të kësaj qeverie. Kreu i LSI-së u shpreh se koalicioni midis Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim është garancia e qytetarëve për realizimin e këtyre reforma. Meta ka garantuar anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së se kjo forcë politike do të qëndrojë larg tensioneve false. Veprimi politik i LSI-së, deklaroi Meta, do të ketë si orientim vetëm integrimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kreu i LSI-së i bëri thirrje PS-së të vlerësojë momentin historik për Shqipërinë, siç është plotësimi i pyetësorit të KE-së. “Dorëzimi i Pyetësorit nga Komisioni Evropian përbën një moment historik për vendin, moment që kërkon kontributin dhe energjitë e gjithë aktorëve të politikës, si dhe përfshirjen e faktorëve të tjerë, të shoqërisë civile, ekspertëve e më gjerë”, tha Meta.Në përfundim të këtyre takimeve, duke bërë thirrje për një etikë të re politike në vend, Meta u shpreh se “në Evropë nuk shkohet me mllefe personale”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›