E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama: Protesta në çdo qytet të Shqipërisë, jo dialog

 shkoder- “Hap kutitë ose largohu!” ishte thirrja që kryesocialisti i bëri kryeministrit nga Shkodra. Dje socialistët mbyllën nga Lezha dhe Shkodra turin e protestave një javore në qytete kryesore të vendit. Nën sloganin “Hap kutitë ose largohu”, Rama është shprehur i bindur për vazhdimin e protestave, pasi rruga e vetme për daljen nga kriza dhe për largimin e Sali Berishës janë protestat në çdo qytet të Shqipërisë, siç u shpreh ai. “E drejta për të votuar lirisht e për të parë votën është e drejtë themelore, të cilën do ta kërkojmë me forcë në çdo shesh, në çdo qytet, deri në lirinë e vërtetë të zgjedhjeve, deri në largimin e Sali Berishës. Nuk ka kthim në parlament pa transparencën e 28 qershorit miqtë e mi. Sali Berisha e ka humbur të drejtën për Shqipërinë, jo vetëm sepse ka grabitur votat, por edhe sepse ka gënjyer vazhdimisht”, tha Rama. Në mitingun e djeshëm në Shkodër ra në sy mungesa e kreut të PS-së të këtij qyteti, Edip Shiroka, i cili ishte një nga drejtuesit lokalë që pas humbjes së zgjedhjeve, i kërkoi Ramës të mos rikandidojë. Kjo marrëdhënie e prishur mes Ramës dhe Shirokës, ka çuar dhe në një anomali tjetër. Kërkesën në bashkinë e Shkodrës për të marrë leje për mitingun e PS-së, e ka çuar kryetari socialist i Malësisë së Madhe, Nazmi Hasani dhe askush nga PS e Shkodrës. Nga Lezha dhe nga Shkodra, po ju themi se mbi gënjeshtra që çdo ditë i kushtojnë Shqipërisë, po ngrihet një borxh që po bëhet i papërballueshëm, nuk e ka fajin opozita për këtë krizë, këto janë zullumet e njeriut që grabiti zgjedhjet.” Sipas tij, protestat bëhen në emër të gjithë shqiptarëve të pakënaqur, që jo vetëm janë të fundit në rajon por edhe nuk kanë mundësi të festojnë festat e fundvitit, pasi Berisha nuk u ka dhënë as rrogën e fundvitit. “Një tjetër popull fqinj feston heqjen e vizave, feston bashkimin e qytetarëve të vet me Bashkimin Evropian. Malazezët, serbët, maqedonasit, sot festojnë ndërsa ne protestojmë, kjo ka të bëjë me këtë qeveri, ka të bëjë me këtë kryeministër pinok që vetëm gënjen dhe që sot i ka lënë shqiptarët të fundit në BE”, u shpreh Rama. Në fjalën e tij para qytetarëve të Lezhës dhe Shkodrës, kryesocialisti u shpreh se në kutitë e mbyllura fshihet një politikë e re, që vetëm me largimin e Berishës do të mund ta gëzojnë shqiptarët. “Në kutitë e mbyllura qëndron politika e re për shëndetësinë, për biznesin që po rrënohet nga dita në ditë, se Shqipëria nuk mund të rrijë e varur në gënjeshtrat e pinokut, i përsëris hap kutitë ose largohu, se këtë krizë e solle ti dhe nuk mund ta vuajë një popull i tërë”, tha Rama. Kriza ekonomikeDuke e vënë theksin në rritjen e çmimit të energjisë elektrike, vështirësitë ekonomike me të cilat do të përballen qytetarët dhe bizneset gjatë vitit që po troket, Rama ritheksoi vendosmërinë e opozitës për të çuar deri në fund betejën për hapjen e kutive të votimit, ku sipas tij fshihet vendimi i shqiptarëve “për t’u qeverisur nga një politikë, që hallin që nuk e zgjidh e qan me sinqeritet”. “Me siguri biznesmenët e vegjël nuk e kanë marrë vesh akoma se çmimi i energjisë nuk është rritur 13, por 22%. Shqipëria e ka të pamundur të festojë, kjo Shqipëri po përballet me mosmarrjen e rrogës në vigjiljen e vitit të ri. 540 mijë pensionistëve i’u mor vota, ndërsa 46 mijë invalidë u harruan nga qeveria. Hap kutitë ose largohu pinok sepse në ato kuti fshihet vendimi i shqiptarëve për një politikë të re”, theksoi kreu i opozitës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›