Berisha: Ftoj opozitën të bashkëpunojmë
ADI SHKEMBINjë ditë pas kërkesës së kreut të PS-së, Edi Rama për tu ulur në tryezën e bisedimeve vetëm nëse kryeministri Berisha tërheq akuzat, reagon kreu i maxhorancës. Në një konferencë për shtyp pas ardhjes nga Danimarka ku mori pjesë në samitin e Kopenhagenit për Klimën, kreu i ekzekutivit u shpreh se është i hapur të pranojë çdo kusht legjitim të pakicës. I pyetur nga gazetarët nëse pranon pikërisht këtë kusht të vendosur nga kreu i opozitës, Berisha tha se “jam i hapur gjithnjë ndaj opozitës, e garantoj se do pranoj të plotësoj çdo kërkesë legjitime të saj. Po shkoj më thellë unë se ajo që thua ti. Arti është ky që them unë, ai që thua ti është inati. Unë jam këtu të pranoj çdo kërkesë të ligjshme të opozitës”. Duke shfrytëzuar marrjen e pyetësorit të Bashkimit Evropian, kreu i ekzekutivit i bëri sërish thirrje kundërshtarit të tij politik të dalin së bashku në një konferencë për shtyp për ta përshëndetur atë. Berisha i bëri apel pakicës që të angazhohet me të gjjitha forcat e saj për ti përgjigjur pyetësorit, të cilën e quajti intervista e vërtetë që u bëhet institucioneve shqiptare. Sipas kryeministrit mungesa e PS-së në parlament është lënduese, por maxhoranca nuk mund të diskutojë vendimet gjyqësore. “Nuk ka diskutim që mungesa e opozitës në parlament është lënduese, por ama duhet ta keni shumë të qartë se nuk mund kush të penalizojë këtë vend për shkak të një vemdimi pa materie për të bojkotuar parlamentin. Se pastaj do barazoheshin të pabarazueshmet. Unë edhe njëherë jam këtu për të përsëritur ftesën time, për të përsëritur gatishmërinë për të pranuar kërkesat e ligjshme të opozotës”, tha Berisha. “Por tu them një gjë ju, gjatë këtyre muajve kam takuar me qindra personalitete, edhe Rama ka takuar, jo me qindra sa unë, por ka takuar. Ju skeni dëgjuar një të vetëm, të qendrës të majtë apo të djathtë për të shqiptuar mundësinë e hapjes së kutive. Ju jeni dëshmitarë të kësaj. Jo se kanë asgjë përveç respektit për opozitën, por sepse kjo nuk mundet kurrë të bëhet, një vendim gjykate nuk mund të trajtohet politikisht. Jam i bindur që do të fitoja një mandat dhe ua them këtu me bidnjen më të thellë. Por kjo nuk mjafton, sepse unë nuk mundet, fiton një mandat por përgatit një katastrofë në të ardhmen për demokracinë e këtij vendi”. Kreu i qeverisë mbrojti vendimin për ti dhënë një shpërblim prej 2500 lekë të reja shpërblim pensionistëve me faktin se të ardhurat gjatë vitit 2009 kanë qenë më të vogla se ato të viteve të fundit për shkak të krizës ekonomike. Njëkohësisht sipas tij në këtë vendim, të miratuar vetëm pak ditë më parë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, ka ndikuar edhe rritja e pagave dhe pensioneve dy muaj përpara afatit të viteve të kaluara për shkak të zgjedhjeve, çka ka rritur faturën financiare. “Fatura e shpërblimeve është 15 milion dollarë. Nëse do të ishte shpërblimi i plotë shkonte 30 milion dollarë. Një pjesë e madhe e vendeve ish komuniste kanë zero shpërblim në fund të vitit kurse të tjerat nga 10- 12 euro. Ato parashikojnë zero rritje rrogash, kurse ne parashikojmë rritjen më të madhe të bërë ndonjëherë”, theksoi më tej Berisha. I pyetur nëse do të paraqitet në Gjykatën e Lartë për paditë që i janë bërë së fundi, kryeministri tha se “ajo që më takon mua, të shpreh kënaqësinë që cili do ka akses të lirë në gjykatat e vendit, cilido ka akses të lirë për të paditur në gjykata çdo njerin përfshi këtu kryeministrin. Kjo është dëshmi e një standardi demokratik. Ky është komenti im”. Njëkohësisht ai u shpreh i gatshëm për regjistrimin e popullsisë në bazë etnie. “Regjistrimin e popullsisë e konsideroj moralisht të detyrueshme, që çdo qytetar i këtij vendi të shprehë përkatësinë e tij etnike, të shprehë besimin e tij fetar, natyrisht ligjvënësi do të marrë modelet më të mira të cilat të përjashtojnë spekulimin dhe tu lejojë qytetarëve të shprehin lirisht origjinën e tyre etnike. Ky popull po ti rendisësh mungesat aktuale dhe të trashëguara, listën e ka shumë të qartë, por jo për identitet. Ky nuk është një popull që ka pasur apo ka probleme apo komplekse për identitetin e tij. Përkundrazi e nderon shumë”, përfundoi kreu i maxhorancës.