E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dule: PS s’na mbrojti votat, Rama: E vërteta te kutitë

 PBDNj mblodhi dje kongresin e jashtëzakonshëm të saj, ku bëri dhe analizën e rezultatit të 28 qershorit. Kreu i saj, Vangjel Dule radhiti disa arsye që çuan partinë që ai drejton në marrjen vetëm të një deputeti në këto zgjedhje. Dule akuzoi Partinë Demokratike për shkarkime masive nga puna të minoritarëve, ndërsa nuk ngurroi të shprehë rezerva dhe për rolin e PS-së në mbrojtjen e votës së PBDNJ-së në këto zgjedhje, e cila kishte garantuar se do të mbronte me komisionerët e saj votat e partive të koalicionit të saj. “Nuk patëm mbrojtjen e votës sonë në procesin e 28 qershorit në masën që ajo pritej prej nesh nga PS. Presim një përgjigje nga Partia Socialiste nëse kjo është bërë për shkak të mungesës së vullnetit apo pamundësi për t’i mbrojtur ato” tha Dule. Kreu i PBDNJ-së tha dje se kjo parti nuk i arriti objektivat e saj zgjedhore. “Duhet pohuar qartë dhe prerë, se PBDNJ nuk arriti objektivat e veta elektorale në zgjedhjet e 28 qershorit. Jemi këtu për të marrë përsipër përgjegjësitë për këtë humbje”, deklaroi Dule. Ai tha se kjo parti u sulmua gjatë zgjedhjeve nga një shtet partiak. “PBDNJ përjetoi në fushatën elektorale një sulm dhe një agresion të paparë ndonjëherë, jo vetëm në këto vite të demokracisë të vendit tonë por edhe më gjerë. Nuk kishte përballë PD-në, por kishim përballë shtetin partiak të PD-së”, deklaroi Dule. Kryetari socialist, Edi Rama, i cili i ishte përgjigjur pozitivisht ftesës së PBDNJ-së për të marrë pjesë në kongresin e saj, tha në fjalën e tij se pikërisht kërkesa e vazhdueshme disa mujore e PS-së për hapjen e kutive të 28 qershorit ka të bëjë me transparencën e zgjedhjeve dhe nxjerrjen e përgjegjësve. “Nuk përjashtoj askënd nga përgjegjësia për ruajtjen e votave të PBDNJ-së, siç e tha dhe kryetari Dule. Por arsyeja pse ne duam hapjen e kutive të votimi është arsyeja që lidhet jo vetëm me rezultatin, por edhe me nivelin e përgjegjshmërisë në raport me kushtetutën dhe me ligjin e secilit që është përfshirë në këtë proces. Do të marrë fund historia e një vendi ku tjetër votohet dhe tjetër numërohet” tha Rama. Kreu i Partisë Socialiste tha se hapja e kutive do të korrigjojë jo vetëm korrupsionin elektoral, por edhe korrupsionin qeveritar që ka përfshirë sot të gjithë vendin tonë. “Dua të theksoj që në pikëpamje të objektivave të përbashkët jemi të gjithë të lënduar, sepse 28 qershori ishte dita kur populli sovran u shpreh për një ndryshim të madh, dhe njëkohësisht kur vullneti i shprehur i popullit sovran u deformua, dhe sot e gjithë ditët, është i marrë peng në kutitë e votimit, në ato kuti votimi që duhen hapur edhe për të adresuar mbi bazën e provave e të fakteve shqetësimin serioz dhe plotësisht legjitim të PBDNJ dhe të përfaqësuesve të saj”, u shpreh Rama. Sipas tij, PS do të vazhdojë të bojkotojë parlamentin e dalë nga këto zgjedhje, pasi në rezultatin e tyre nuk është lexuar vullneti dhe dëshira e popullit shqiptar, por ndërhyrja e shtetit për pushtet.VotimiDule rizgjidhet kryetarVangjel Dule u rikonfirmua dje sërish në krye të PBDNJ-së. Kongresi i jashtëzakonshëm i kësaj force politike, i cili bëri analizën e rezultatit zgjedhor të 28 qershorit, zhvilloi dhe zgjedhjet për Kryetarin dhe Këshillin Drejtues të saj. Vangjel Dule mori dje 436 vota pro, nga 468 delegatë të këtij kongresi, ndërsa 12 vota ishin kundër, 15 abstenime dhe 5 vota të pavlefshme. Pas zgjedhjeve të 28 qershorit, në PBDNJ ka pasur mjaft debate për pozicionin e kryetarit të saj, ku zëra të lartë të saj kërkonin që ajo të bashkëpunonte me koalicionin e PD-së. PBDNJ, arsyet e shkëputjes nga PDDule: S’mund të jemi në një qeveri me çamëtNë fjalën e tij, kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule dha dhe arsyet e shkëputjes së kësaj partie nga koalicioni me Partinë Demokratike. “Presioni i demokratëve për të krijuar struktura paralele në PBDNJ dhe pamundësia për të qëndruar në një koalicion me çamët”, që sipas Dules, kanë objektiva fantazëm. “Ne nuk mund të vazhdonim më këtë bashkëpunim sepse PD u përpoq sistematikisht që në vitin 2007 të krijojë brenda PBDNJ struktura drejtuese paralele. Pati edhe një arsye tjetër po kaq të rëndësishme. PBDNJ duke qenë me bindje të qartë evropiane nuk mund të pranonte të ishte në kuadrin e një koalicioni me forca të tjera politike, që asgjë të përbashkët nuk kanë me frymën evropiane; me forca politike, në thelbin e programeve të të cilave është armiqësia, e shkuara, të cilat sot e kësaj dite, në mes të Tiranës, jashtë ambasadës së BE, kërkojnë që të mos ecë procesi i integrimit nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre të mbështetura në objektiva fantazmë”, tha Dule.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›