E Shtunë, 31 Tetor 2026

21 janari, Gjykata e Apelit vendos sot për 3 gardistët

TIRANE- Gjykata e Apelit do të vendosë sot për fatin e tre gardistëve të akuzuar për vrasjen e 4 civilëve në demonstratën e dhunshme të 21 janarit në bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Nënoficerët Mark Nikolli, Sadik Çela, Gazmend Ahmetaj, ndodhen prej gati dy javësh në qeli, pasi gjykata e Tiranës caktoi ndaj tyre masën e sigurisë "arrest me burg" me afat 30 ditë. Brenda këtij afati, prokuroria duhet të gjejë prova që i ngarkojnë me përgjegjësi nënoficerët, pjesëtarë të të ashtuquajturit "grupi i zjarrit". Dyshohet se njëri prej tyre, ka qëlluar për vdekje Aleks Nikën, demonstruesin nga Lezha, që humbi jetën në një spital në Turqi.

Ende nuk dihet nëse ka përfunduar ekspertimi i predhës së gjetur në trupin e Nikës, ku nga krahasimi me ekspektimi balistik të armëve të gardistëve dhe gëzhojave të gjetura në vendngjarje, do të vërtetohej nëse ai është qëlluar nga ndonjëri prej nënoficerëve që ndodhen në qeli.

Ndërkohë “Gazeta Shqiptare” ka publikuar sot vendimin e Gjykatës së Tiranës për vlerësimin e masës së arrestit të gardistit Sadik Çela, ku sipas akt ekspertimit mjeko ligjor Faik Myrtaj nuk është qëlluar nga efektivat e gardës. (Detaje të vendimit mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës)

Në seancën e sotme në Apel, do të zbardhet fakti nëse prokuroria ka grumbulluar prova për fajësinë e të pjesëtarëve të "grupit të zjarrit".
Tre nënoficerët e njësisë speciale, akuzohen se qëlluan me armë më 21 janar, ku për pasojë gjetën vdekjen katër demonstrues, Faik Myrtaj, Ziver Veizi, Aleks Nika dhe Hekuran Deda. I vetmi që gjendet në qelitë e burgut nën masën e sigurisë "arrest me burg" është shefi i shtabit të njësisë speciale, majori Agim Llupo, nën akuzë për vrasje në rrethana cilësuese, në bashkëpunim dhe tejkalim kompetencash. Llupo akuzohet për vrasjen e demonstruesit Ziver Veizi nga Gjirokastra. Tre gardistët e tjerë kanë kundërshtuar akuzat dhe kërkojnë lirimin nga gjykata e Apelit.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›