E Diel, 1 Nëntor 2026

BE: Zgjedhjet, test për ju, por situata është shumë serioze

TIRANE- Brukseli pret që zgjedhjet e reja lokale të 8 majit në Shqipëri të shfrytëzohen për të arritur standardet e Bashkimit Evropian. Këto zgjedhje vlerësohen si shumë të rëndësishme dhe test për arritjen e kritereve politike të ritheksuara në raportin e fundit të Komisionit Evropian.
Duke e parë 8 majin si një mundësi për të kapërcyer krizën e gjatë politike në vend, Presidenca e BE-së dhe Parlamenti Evropian janë të gatshëm t’i vëzhgojnë me shumë vëmendje këto zgjedhje.

Kjo bëhet e ditur nga raportuesi i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Nikolaos Chountis, si dhe kryesuesi i Presidencës së BE-së, shefi i diplomacisë hungareze, Janosh Martoni.

“Zgjedhjet janë një rast shumë i mirë, por situata është shumë serioze. Unë dëshiroj që këto të kalojnë sa më mirë. Nëse qeveria shqiptare dhe opozita kërkojnë më shumë vëzhgues, ne mund t’i dërgojmë ata. Për këtë nuk ka ndonjë problem, sepse kjo është një metodë që e përdorim. Ky është një sy i tretë, në këtë rasti i Parlamentit Evropian dhe i gjithë organizatave të tjera, në mënyrë që në zgjedhje të ketë transparencë. Mendimi im është ky që, nëse forcat politike kërkojnë më shumë vëzhgues, unë them po”, - deklaroi Chountis për ‘Albanian Screen’ TV.

Ndërsa shefi i diplomacisë hungareze, Martoni deklaroi se “ne po e ndjekim situatën në Shqipëri me shumë kujdes. Për sa i përket kërkesës për të pasur më shumë vëzhgues në zgjedhje, ne do ta shqyrtojmë edhe këtë aspekt. Ne jemi të gatshëm për ta ndihmuar Shqipërinë në të gjitha aspektet”, - tha Martoni.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›