E Shtunë, 31 Tetor 2026

21 janari, Prendi: Arma e imja, nuk vrava me dashje

Ndrea Prendi ne gjykate

Zbardhet vendimi i Gjykatës së Apelit për zëvendësimin e masës.

Ish-komandanti i Gardës: Pistoletën e përdora sipas ligjit.

Komandanti i Gar-dës, Ndrea Prendi, përmes avokatit të tij ka pranuar në Gjy-katën e Apelit se pistoleta që ka vrarë Faik Myrtajn ka qenë armatim brezi i tij. Prendi përmes avokatit, ka hedhur poshtë ndërkohë akuzë e vrasjes me dashje, duke pohuar se arma në fjalë është përdorur sipas ligjit. Qëndrimi i Prendit në lidhje me akuzën zbardhet në vendimin e Gjykatës së Apelit, që refuzoi kërkesën e Prokurorisë për dërgimin në qeli të ish-komandantit të Gardës i akuzuar për vrasjen e Faik Myrtajt, më 21 janar 2011. Në seancën e 22 shkurtit 2012, e zhvilluar me dyer të mbyllura në Apel, përfaqësuesi ligjor i Prendit ka pranuar para trupës gjykuese se pistoleta e sekuestruar nga Prokuroria ishte e klientit të tij. Por sipas gjykatës, masa e sigurisë arrest shtëpie është shumë e përshtatshme për të dyshuarin Prendi. Referuar arsyetimit, ndonëse prokuroria identifikonte armën e Prendit përmes provave, kjo nuk ishte rrethanë rënduese, që mund të krijonte nevojën për të ndryshuar masën e sigurimit ndaj ish-kreut të Gardës. Më 22 shkurt, Apeli rrëzoi kërkesën e Prokurorisë për zëvendësimin e masës së sigurisë të Prendit nga arrest shtëpiak në arrest me burg. Prova me të cilën Prokuroria pretendonte se rëndonte pozitat e të dyshuarit ishte një fletë-dalje nga magazina e armatimit e pistoletës nr. P25796Z, e cila i përkiste Prendit.
PISTOLETA
Në vendimin e arsyetuar të gjykatës, një kopje e të cilit u sigurua nga gazeta, pohohej se përmes avokatit të tij, Ndrea Prendi kundërshtonte akuzën vrasje me dashje, por jo pronësinë e pistoletës. Mbrojtja e personin nën hetim, Ndrea Prendit, pohoi para trupit gjykues se ne nuk kemi mohuar faktin që komandanti i Gardës së Republikës ka si pajim personal luftarak armën e brezit, tashmë të identifikuar dhe që e ka pasur bazuar në ligjin Për Gardën e Republikës dhe që është pikërisht arma për të cilën Prokuroria ka paraqitur fletë-daljen, por kundërshtojmë se nuk kemi kryer vrasje me dashje, por kemi zbatuar detyrën që na jep ligji, ka pohuar pretendimi i mbrojtjes në vendimin e argumentuar. Në vijim thuhej se: Ashtu siç ka arsyetuar Gjykata e Shkallës së Parë, duke shqyrtuar dhe nga ana e këtij kolegji, duhet theksuar se punonjësit e Gardës së Republikës nuk janë as organizatë kriminale dhe as grup i strukturuar kriminal, por institucion i organizuar në bazë të ligjit të saj organik që ka për detyrë, veç të tjerash, atë të parashikuar në nenin 2 të ligjit 8869, datë 22.05.2003 për Gardën e Republikës.
REFUZIMI
Sipas gjykatës, Ndrea Prendi kishte një personalitet të vlerësueshëm dhe se masa e sigurimit e caktuar ndaj tij, ajo e arrestit shtëpiak i jepte garanci të plotë Prokurorisë për vijimin e hetimeve. Po sipas gjykatës, prova e re e paraqitur nga akuza nuk ndryshonte kushtet e masës së sigurisë ndaj Prendit. Nga ana e kolegjit penal të kësaj gjykate çmohet se fletë-dalja që identifikon armën e brezit të komandantit të Gardës së Republikës është provë që provon plotësisht këtë identifikim, por në asnjë rrethanë nuk merr përmasat e një rrethane përcaktuese, që të rëndojë masat e sigurimit për personin nën hetim, Ndrea Prendi, për të ndryshuar masën e sigurimit. Kjo provë nuk ka orientuar Prokurorinë në ndryshimin e cilësimit juridik të akuzës së dyshuar, të personit nën hetim për implikim të tij. Tashmë për personin nën hetim ka një masë shumë të përshtatshme për të vazhduar dhe përfunduar hetimin e çështjes së regjistruar para një viti, thuhej në vendimin e gjykatës.
ARGUMENTET ANTI-PROKURORI
Në vendim, gjykata kryqëzonte Prokurorinë në lidhje me vonesën e sigurimit të provave shkresore që faktonin pronësinë e pistoletës me të cilën dyshohet të jetë vrarë Faik Myrtaj. Është i pashpjegueshëm fakti që megjithëse ka kaluar mbi një vit nga ngjarja e ndodhur paranë një prej institucioneve më të rëndësishme të shtetit, siç është godina e Kryeministrisë, së bashku me gjithë strukturën administrative të kryesuar nga Kryeministri dhe megjithëse nga ana e Prokurorisë ishin sekuestruar armët e Gardës, nuk ishin sekuestruar dokumentet shkresore të këtyre armëve. Pavarësisht se tashmë ishin të identifikuara armët dhe mbi bazën e këtij identifikimi ishte bërë fillimisht dhe kërkesa për caktimin e masës së sigurimit, të cilën e kishte marrë Gjykata e Shkallës së Parë, duke vendosur personin nën hetim, Ndrea Prendin, në arrest shtëpie të ruajtur nga forcat e Policisë së Shtetit, pas ardhjes nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të letër-porosisë së aktit të ekspertimit të kryer, thuhej në vendim. Më tej, në arsyetimin e vendimit pohohet se ditën e ngjarjes kanë mbetur tre të vrarë dhe një i plagosur rëndë, i cili ka vdekur më vonë në një nga spitalet e vendeve të huaja dhe organit të Prokurorisë i bie një barrë ligjore, që me të gjitha mundësitë dhe mjetet që ka të provojë se cilët janë autorët e këtyre pasojave, si dhe vetë këto pasoja çfarë figure të krimeve të parashikuara në jurisprudencën penale konfigurojnë për subjektet e dyshuara. Nga ana e këtij kolegj vihet re se kohet e fundit organi i procedimit penal për disa nga çështjet e rënda është nisur thjesht nga pasojat e ardhura, për të ngritur akuzat ndaj subjekteve të dyshuara. Kjo është mënyrë e pambështetur në legjislacionin penal, procedural dhe atë material.

Zëvendësimi
Më 3 shkurt 2012, Gjykata e Tiranës refuzoi kërkesën e Prokurorisë për zëvendësimin e masës së sigurisë për të dyshuarin Ndrea Prendi nga arrest shtëpie në arrest me burg. Sipas Prokurorisë, një provë shkresore, fletëdalja nga magazina e armës së përdorur nga Prendi, rëndonte pozitat e këtij të fundit. Më herët, Prokuroria kishte dërguar në Gjykatën e Apelit ankimin për vendimin e datës 25 janar. Gjykata e rrëzoi formalisht këtë kërkesë. Gjyqtari arsyetoi se ai ishte shprehur për masën e sigurisë dhe se provat e reja duhet të paraqiten në Apel. Por, paraqitja e provave të reja në Apel, nuk rezultoi bindëse, pasi gjykata nuk e ndryshoi masën e sigurisë së Prendit.

Prokuroria
Në ankimin e saj në Apel, Prokuroria e cilësonte të gabuar vendimin e Shkallës së Parë të 3 shkurtit, që nuk zëvendësoi masën e sigurisë ndaj Prendit. Tashmë është provuar me provat e paraqitura se kjo pistoletë i përket personin nën hetim, Ndrea Prendit, të cilën e ka marrë me dokumentin shkresor të administruar nga Prokuroria. Është fletëdalja nga magazina, që është një provë e cila rëndon pozitën e personit nën hetim, ndaj vendimi duhet të ndryshohet duke zëvendësuar masën e sigurimit nga arrest në shtëpi në arrest me burg, citohet ankimi në vendimin përfundimtar

ARMAND BAJRAMI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›