E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvritet para policisë 55-vjeçari

Policia e Gjirokastrës në vendin ku u vetëvra Agim Dida

U grindën në një lokal. Vetëflijimi se mendoi që i shkaktoi vdekjen 38-vjeçarit Altin Salaj.

Gjirokastër, Agim Dida qëlloi veten pasi plagosi ish-kunatin e tij.

Plagos ish-kunatin e më pas qëllon veten i rrethuar nga policia. Agim Dida, 55 vjeç, duke menduar se kishte vrarë vëllanë e ish-bashkëshortes së tij nuk ka pranuar të dorëzohet, duke u vetëflijuar me të njëjtën armë që qëlloi ndaj 38-vjeçarit Altin Salaj. Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme, rreth orës 13:30, në fshatin Sofratikë në komunën e Dropullit të Poshtëm në afërsi të aksit nacional Gjirokastër-Kakavijë. Agim Dida, me banim të përkohshëm në Tiranë prej disa vitesh, është gjendur nën shoqërinë rastësore të ish-kunatit të vet në një prej lokaleve të fshatit Sofratikë. Burimet policore kanë saktësuar se Dida, nga fshati Luftinjë i Tepelenës, ka debatuar me kunatin e tij, Altin Salaj, 38 vjeç, nga fshati Allkomemaj, po nga Tepelena për motive të dobëta. Dëshmitarët në vendngjarje kanë pranuar se debati mes Salës dhe Didës në klub fillimisht ka qenë i qetë dhe në momentin final degjeneroi. Altin Salaj, vinte nga Greqia në drejtim të fshatit të tij dhe askush nga të pranishmit nuk e ka konfirmuar faktin nëse takimi mes tyre në Sofratikë ka qenë i planifikuar apo jo, megjithatë kjo pritet të mësohet sapo Salaj të merret në pyetje në cilësinë e dëshmitarit kryesor.
Debati në lokal
Një punonjës i lokalit ka rrëfyer për gazetën Panorama pothuajse të gjithë atë çfarë ndodhi përgjatë 15 minutave bisede mes dhëndrit të familjes Salaj dhe kunatit të viktimës. Fillimisht, në lokal ka hyrë 38-vjeçari Alket Salaj, i cili ka

Policia e Gjirokastrës në vendin ku u vetëvra Agim Dida

konsumuar një kafe të ftohtë. Një telefonatë nga Greqia ka qenë e vetmja që është shënuar pak minuta para se të mbërrinte në lokal Agim Dida. Hyrja e Didës në lokal nuk e ka befasuar Alket Salën, i cili nuk lëvizi madje as nga vendi për ta përshëndetur, por thjesht një salutim me kokë. Dida nga ana e vet është ulur në një tavolinë përbri kunatit të tij dhe pasi ka konsumuar një gotë raki, është afruar te Salaj, duke e ngacmuar me sharje. Nga ana e tij, Altin Salaj i ka kërkuar kunatit të vet se cilat janë arsyet e forta që ai kishte për tu divorcuar nga e motra e tij, mirëpo këto kërkesa të vazhdueshme në gojën e Salës, 55-vjeçarit nuk i kanë pëlqyer, i cili mjaft herë e ka ofenduar deri aty sa të përgojonte madje edhe nderin e gruas së tij të divorcuar jo ligjërisht. Debati është ndezur mjaft kur Dida i është afruar në tavolinë 38-vjeçarit dhe aty ai e kërcënoi me ekzekutim të menjëhershëm nëse do të vazhdonte ti kërkonte llogari për diçka që sipas tij, kishte të bënte me jetën e tij dhe ish-gruas. Për tiu shmangur përkeqësimit të mëtejshëm të situatës, Salaj është larguar duke lënë përgjysmë frapenë. Ka rrëmbyer çelësat dhe ka lëshuar një fjali ofenduese në drejtim të kunatit të tij, shprehet dëshmitari për gazetën. Dida ka dalë pas tij, duke nxjerrë pistoletën TT që e mbante në brez. Ai e ka arritur ish-kunatin kur sapo kishte hipur në makinë dhe e ka qëlluar në gjoks me një plumb.
Vetëflijimi
Dëshmitarët në vendngjarje kanë njoftuar me telefon Policinë e Gjirokastrës, e cila ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe krahas përcjelljes drejt spitalit të Gjirokastrës të Alket Salajt, ka marrë dëshmi paraprake nga të pranishmit në lokal. Pasi janë mësuar paraprakisht me debatin mes Salës dhe Didës, uniformat blu kanë marrë drejtimin në fushën e Sofratikës rreth 200 metra nga vendi i ngjarjes, me qëllim kapjen e agresorit. Ndërsa Alket Salaj, i mbytur me gjak si pasojë e plumbit që preku gjoksin e tij, me mbërritjen në spital u mor përsipër nga mjekët kirurgë të cilët kanë ndërhyrë për ti hequr plumbin nga kraharori i djathtë. Policia nga ana e vet mundi të rrethonte zonën ku qarkullonte Dida, i arratisur nga vendi i ngjarjes dhe në një moment iu afrua deri në 50 metra. Policët i kanë bërë thirrje të dorëzohej, pasi nuk i kishte shkaktuar vdekjen kunatit. Mirëpo mesa duket, tentativat e policisë për të joshur Didën kanë rezultuar të pasuksesshme, pasi ky i fundit qëlloi drejt vetes me një plumb të vetëm, duke gjetur vdekjen.

GJIROKASTER/ PIRO NASE

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›