E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, dy të plagosur te shkolla Sinan Tafaj

Tre nxënës të vitit të tretë në shkollën e mesme Sinan Tafaj në Tiranë, u përfshinë dje në një konflikt të dhunshëm duke përdorur thikat ndaj dy personave të tjerë, që nuk ishin nxënës shkolle. Ngjarja ndodhi rreth orës 13:30, kur adoleshentët sapo kishin përfunduar mësimin dhe pasi kanë kaluar rrethimin e shkollës, janë përballur me dy persona, që prej disa ditësh qëndronin me makina të ndryshme te porta e gjimnazit. Nga dhuna fizike që pesë djemtë kanë ushtruar ndaj njëri-tjetrit kanë mbetur të plagosur rëndë një 23-vjeçar dhe një miku i tij 19 vjeç. Burime nga Policia e Tiranës thanë se në sherr janë përfshirë gjimnazistët, Dashamir Hidri, Orgen Pepkolaj dhe Edison Sulaj, të tre 17-vjeçarë, nxënës të vitit të tretë në shkollën e mesme Sinan Tafaj, që ndodhet pranë bulevardit Zogu i Parë. Ndërsa ka mbetur i plagosur rëndë me disa goditje thike në trup 23-vjeçari Rauljan Beqiraj, i cili aktualisht ndodhet i shtruar në spitalin Nënë Tereza dhe sipas mjekëve e ka kaluar rrezikun për jetën. Gjithashtu ka pësuar disa plagë të lehta me thikë edhe 19-vjeçari Klaudio Meta, i cili pasi ka marrë mjekimin është transportuar në shtëpi. Policia e Komisariatit Nr.3 është njoftuar për ngjarjen nga roja i shkollës, por edhe nga patrulla e përgjithshme që mban në vëzhgim zonën, që kanë lajmëruar për përforcime, për shkak të gjendjes së rëndë të të plagosurit. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat e Komisariatit Nr.3 dhe oficerë të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit, të cilët kanë marrë drejtimin e hetimit të ngjarjeve. Janë shoqëruar për tu marrë në pyetje dhjetëra nxënës që janë bërë dëshmitarë të ngjarjes, si dhe dy prej autorëve, Dashamir Hidri dhe Orgen Pepkolaj, për të cilët tashmë ka nisur procedim penal në gjendje të lirë, për akuzën plagosje e rëndë me dashje. Ndërsa është shpallur në kërkim autori i tretë i dyshuar për ngjarjen, Edison Sulaj, me të cilin policia po negocion me anë të familjarëve të tij, në mënyrë që të vetëdorëzohet në polici. Një konflikt i ngjashëm mes gjimnazistëve ndodhi edhe dy ditë më parë në gjimnazin e Kasharit, gjatë të cilit u plagosën lehtë dy persona, nxënës të shkollës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›