Pukë, masivet e dëborës arrijnë 4 metra në qytet
PUKE – Qyteti i Pukës, një nga zonat më të goditura nga reshjet e dëborës, vijon të jetë i pushtuar nga dëbora. Në shumë vende në qytet bora arrin në rreth 90 cm, por në zona të veçanta ajo ka krijuar tunele që shkojnë deri në 4 metra. Kryetari i Bashkisë së Pukës, Beqir Arifaj, u shpreh se shqetësimi kryesor për Shtabin e Emergjencave në këtë bashki mbetet eliminimi i problemeve që kjo dëbore ka lënë pas. Ndër to ai radhiti largimin e dëborës nga objekte të ndryshme, pastrimin e të gjitha akseve rrugore, largimin e mbetjeve urbane, sistemin e dëmeve në rrjetin e ujësjellëskanalizimeve. Sipas Arifajt, dëmet paraprake mendohet se kapin shumën e 2.5 milionë lekëve. Tashmë që situata emergjente ka kaluar, puna ka nisur me largimin e mbetjeve urbane, hapjen e vendeve në anë të rrugës për vendosjen e kazanëve me qëllim eliminimin e përhapjeve të sëmundjeve në qytetin e Pukës. Krahas kësaj, vazhdon puna për largimin e dëborës nga çatitë e ndërtesave për të eliminuar rrezikun e shembjes së tyre. Ndërkohë që paralel me masat e marra më sipër ne kemi ngritur grupe pune, të cilat po merren me evidentimin e dëmeve jo vetëm në institucionet e ndryshme, por edhe në banesat e familjarëve të qytetit të Pukës, u shpreh kryebashkiaku Arifaj. Megjithëse ka rreth një javë që reshjet kanë pushuar, dëbora sërish është prezente në qytetin e Pukës. Vetëm në stadiumin e këtij qyteti, ku nuk është ndërhyrë fare, trashësia e dëborës është mbi 90 cm, pa llogaritur pastaj rrugët e qytetit ku në 70 për qind të tyre, megjithëse janë hapur disa kalesa nga mjetet borëpastruese, në pjesët anësore të tyre niveli i dëborës arrin 4 m, gjë e cila vështirëson qarkullimin e lirë të mjete dhe të qytetarëve. Nga evidentimet e deritanishme është konstatuar se shuma e dëmeve në rrjetin e furnizimit me ujë të pijshëm arrin në rreth 2.5 milionë lekë. r.d
Korçë, ribllokohet nga bora komuna e Lekasit
KORÇE – Ribllokohet komuna e Lekasit. Një masiv bore ka ribllokuar rrugën që të çon drejt komunës së thellë malore të Lekasit duke sjellë edhe një herë ndërprerjen e komunikimit apo lëvizjes për banorët e saj. Sipas të dhënave mësohet se 4 kilometrat e parë të kësaj rruge janë bllokuar nga bora, e cila është shkëputur nga vendi i quajtur Kullat e Gjergjevicës, duke zënë pjesën e kalueshme të rrugës. Për shkak të përmirësimit të motit, bora ka nisur të shkrijë dhe kjo e ka bërë atë më të rëndë, duke sjellë edhe shkëputjen e masivëve të mëdhenj nga faqet e pjerrëta malore. Prej mëngjesit të së enjtes disa masivë janë shkëputur duke bërë të domosdoshme ndërhyrjen nga ana e mjeteve borëpastruese dhe traktorëve për të mundësuar rikthimin e saj në gjendjen funksionale. Nga Voskopoja, ku zë fill edhe rruga që çon drejt komunës Lekas e deri në kilometrin e saj të katërt mësohet se ka nisur puna për hapjen e saj në mënyrë që të mundësohet edhe komunikimi dhe lëvizja e këtyre banorëve. dh.d