E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, 1 kg kokainë në dhomën e gjumit, arrestohet

Droga e sekuestruar

Policia prangos në flagrancë 45-vjeçarin, pas 1 muaji përgjimesh.

Rreth 1 kg kokainë u bllokua dje nga Policia e Durrësit në një banesë në Lagjen 13 të qytetit. Sipas Policisë, poseduesi i drogës është shtetasi Edmond Kontakçi, 45 vjeç, i arrestuar në flagrancë. Oficerët e Antidrogës kishin dyshime se 45-vjeçari ushtronte aktivitetin e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike dhe prej disa kohësh i ishin qepur pas për të zbuluar detaje që do t’i ndihmonin për të akuzuar Kontakçin. Pas një muaji përgjimesh, efektivat e Antidrogës u bindën se personi në fjalë rezultonte se ushtronte aktivitet të paligjshëm duke tregtuar kokainë. Nisur edhe nga informacionet e marra në mënyrë operative, policia ishte e sigurtë se 45-vjeçari e fshihte në banesën e tij drogën. Policia nuk ka pritur më dhe rreth orës 05:00 të mëngjesit të djeshëm ka ushtruar një kontroll të befasishëm në banesën Kontakçiut, ku përveç drogës gjetën e sekuestruan edhe mjete të tjera, të cilat dyshohet se 45-vjeçari i përdorte për aktivitetin e paligjshëm. Policia informon se në kuadër të operacionin policor të koduar “Tonight” u sekuestrua sasia prej rreth 900 gramësh kokainë dhe u arrestua në flagrancë poseduesi i saj, 45-vjeçari Edmond Kontakçiu. Droga ishte e ndarë në dy qese. Gjithashtu u bllokuan dy granata difensive, një sasi fishekësh, një automjet, 6 telefona celularë, 12 karta SIM, si dhe sasia prej 6500 lekësh dhe 100 euro. Policia nuk e ka pasur shumë të vështirë për të vënë në pranga 45-vjeçarin, për shkak të orës së mëngjesit, kur në shtëpi kanë qenë edhe pjesëtarë të familjes. Ata kanë mbetur të shtangur kur kanë parë në derën e shtëpisë së tyre oficerët e Policisë, të cilët në dorë mbanin edhe mandatin që u hapte rrugë për të ushtruar kontrollin në banesë. Sipas Policisë, 45-vjeçari e ka siguruar drogën në Shqipëri, ndërsa destinacioni i saj ishte po tregu i brendshëm. Mësohet se i arrestuari nuk ka bashkëpunuar me policinë për të dhënë detaje se ku e kishte blerë lëndën e fortë narkotike. Policia dyshon se ka të tjerë persona të përfshirë në këtë trafik, ndërsa po punon për identifikimin e tyre.

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›