E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndalimi për vrasje, Ilia Basho çon arrestin në Apel

Ilia Basho në gjyq

TIRANE – Ilia Basho, i akuzuari për “vrasje me dashje” të bashkëshortes së tij Eleni Basho, ngjarje e ndodhur një muaj më parë në Shkozë të Tiranës, apelon masën e sigurisë “arrest me burg”. Rreth një javë pasi Gjykata e Tiranës caktoi këtë masë shtrënguese ndaj tij, përmes avokatit të tij mbrojtës, Ilia Basho e ka kundërshtuar vendimin e Shkallës së Parë. Burime zyrtare të Gjykatës së Apelit konfirmuan dje mbërritjen e dosjes, ku i pandehur është Ilia Basho. Sipas burimeve, ankimi i Bashos do të shqyrtohet më 7 mars në orën 09:00. U mësua se çështja në ngarkim të Ilia Bashos në Apel do të shqyrtohet nga një treshe gjyqtarësh e kryesuar nga gjyqtari Edmond Goga. Ilia Basho u arrestua më 21 shkurt, tri javë pasi bashkëshortja e tij u qëllua për vdekje me dy plumba nga një person i paidentifikuar. “Më datë 02.02.2012, rreth orës 18:30, shtetasja Eleni Basho po shkonte në banesën e saj që ndodhet në lagjen ‘Shkozë’ pranë ambienteve të firmës ‘Sina Beton’. Disa metra para se të mbërrinte në banesë, kësaj shtetaseje i ka dalë një person me armë zjarri, i cili i ka qëlluar dy herë. Si pasojë e këtyre të shtënave ka ngelur e vdekur shtetasja Eleni Basho. Nga hetimet e kryera, deklarimet e personit në hetim dhe të personave që kanë dijeni për veprën penale, ekziston dyshimi i arsyeshëm se autori i kësaj vepre penale është shtetasi Ilia Basho, vepër penale kjo e cila dyshohet të jetë kryer nga ky person në bashkëpunim. Për këtë arsye është nxjerrë urdhri i ndalimit datë 21.02.2012 dhe është bërë ndalimi i tij. Urdhri i ndalimit është ekzekutuar me procesverbalin e datës 21.02.2012. Ai është person në hetim për kryerjen e veprës penale të ‘vrasjes me paramendim’, të kryer në bashkëpunim”, thuhej në vendimin e Gjykatës së Tiranës për caktimin e masës “arrest me burg” për Bashon.      ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›