"21 janari", Prendi:Kishim të dhëna për sulm ndaj kryeministrisë

Një qitës me snajpër dhe elementë nga turma me armë kimike do sulmonin kryeministrinë me 21 janar. Deklarata bombë ka ardhur nga ish-komandanti i gardës së republikës Ndrea Prendi i akuzuari kryesor për vrasjen e protestuesit Faik Myrtaj. Në dëshminë e parë para gjykatës oficeri i lartë ka dhënë versionin e tij duke lënë të kuptohet se informacionet që kishte tregonin për një sulm të rrëzikshëm ndaj institucionit të kryeministrit.
Në seancën e rradhës së procesit për ngjarjet e 21 janarit 2011 Prendi ka folur hollësisht për atë që ndodhi në sheshin para kryeministrisë dhe çfarë informacionesh vinin ndërsa turma i drejtohej këtij institucioni. Në cilësinë e të akuzuarit Prendi ka deklaruar para togave të zeza se kishte informacion të saktë se nga element të protestës do të kryheshin veprime të rrezikëshme deri edhe përdorim të armëve kimike dhe se mjeti që hyri në oborr dyshohej për eksploziv.
Ushtaraku i lartë në hirearkinë e gardës, ka deklaruar gjithashtu një informacion që vinte nga shërbimet e gardës lajmëronte praninë e një qitësi me snajpër që kishte si objektiv dritaret e kryeministrisë por pa specifikuar se kush do të ishte shënjestra. Por sipas dëshmisë së Prendit objektivi i turmës nuk ishte vetëm kryeministria, pasi informacionet flisnin edhe për një sulm të dytë ndaj parlamentit që sipas tij u evituar nga rrjedha e ngjarjeve. Agravimin e situatës Prendi e ka shpejguar me tentativën e protestuesve që sipas tij po tentonin të hynin në kryeministri.
Kjo është dëshmia e parë e Ndrea Prendit që pas vënies nën akuzë për vrasjen e një nga 4 protesuesit e 21 janarit, një deklaratë e cila mund të trondisë procesin dhe të sjellë debate të forta lidhur me atë që opozita e ka konsideruar vrasje të njerëzve të pafajshëm ndërsa maxhoranca grusht shteti.