E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja “Remzi Hoxha”, gjykata pyet SHISH-in

Shqiptaromaqedonasi dyshohet të jetë rrëmbyer e torturuar nga tre ish-zyrtarët e Shërbimit të Inteligjencës, Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro dhe Avni Koldashi, të cilët prej afro pesë vitesh po përballen me drejtësinë shqiptare nën akuzat e rënda, që nëse vërtetohen, rrezikojnë të mbyllen në qeli të paktën 25 vite.

Vendimi për t'iu drejtuar SHISH-it për informacion u mor dje, nga pesëshja gjykuese e kryesuar nga Gurali Brahimllari, pas kërkesës së bërë nga avokati Vojo Bregu që mbron në proces interesat e Ilir Kumbaros, ky i fundit në kërkim ndërkombëtar, pasi pas shumë ecejakesh me drejtësinë britanike, u zhduk pa gjurmë.

Pesëshja gjykuese vendosi gjithashtu t'i kërkojë Shërbimit Informativ Shtetëror, - që tashmë drejtohet nga Visho Ajazi, që pas shkarkimit të Bahri Shaqirit, - informacion nëse ka shoqëruar, vëzhguar apo marrë në pyetje, Ziso Kristopullin dhe Avdyl Loshajn, dy personat që pretendojnë se në vitin 1995 janë rrëmbyer e mbajtur peng në ambientet e strukturave sekrete, ku janë torturuar në mënyrë barbare.

Kristopulli u lirua nga vetë agjentët e SHISH-it, pas bujës që bëri në mediat e kohës rrëmbimi i tij, ndërsa Avdyl Loshaj u arratis, për t'u gjetur shumë vite më vonë nga familjarët e Remzi Hoxhës, që e kërkonin për fatin e të afërmit të tyre.

Detyrat e të pandehurve

Në seancën e parë gjyqësore pas përfundimit të pushimeve verore të gjykatësve, avokati Vojo Bregu renditi para trupës gjyqësore një sërë kërkesash në lidhje me të mbrojturin prej tij, ishshikasin Ilir Kumbaro. Veç të tjerash, avokati kërkoi nga gjykata që të informohej nga Shërbimi Informativ Shtetëror lidhur me postin që ka mbajtur Kumbaro përgjatë viteve 1990-1996 dhe detyrat specifike që ka kryer.

Në kërkesën e tij, avokati argumentoi se Ilir Kumbaro ka pasur detyrën e inspektorit në SHISH, sikurse dhe dhjetëra inspektorë të tjerë, dhe jo ndonjë post drejtues, çka nuk e lidh asgjë me akuzat që i janë ngritur mbi supe, ndaj për pasojë duhet sqaruar posti që ka mbajtur dhe specifikisht, detyra funksionale që ai kryente. Pasi e shqyrtoi kërkesën e mbrojtësit ligjor, vendosi ta pranojë atë dhe do t'i drejtohet zyrtarisht institucionit që tashmë kryesohet nga Visho Ajazi, për të marrë përgjigje për funksionin që ka pasur Kumbaro. I njëjti informacion iu kërkua institucionit të Inteligjencës në vend, edhe për dy të pandehurit e tjetër, Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi.

Ndërsa, gjykata rrëzoi disa kërkesa të tjera të avokatit, që kishin të bënin me mënyrën e organizimit të SHIK-ut në Tiranë, ndarjen e zonave, rregulloren e bazës së Vainit në Lezhë, ku në këtë të fundit, mendohet të jetë torturuar Remzi Hoxha. Tre të pandehurit, Ilir Kumbaro, Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi, akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë rrëmbyer, torturuar dhe zhdukur Remzi Hoxhën, më 21 tetor 1995. Për fatin e shqiptaro-maqedonasit nuk u mësua kurrë asgjë, edhe pse që prej asaj kohe kanë kaluar 17 vite.

Të pandehurit, prej pesë vitesh po përballen me akuzat e rënda dhe pavarësisht se ka kaluar kohë e gjatë, ende gjykata nuk ka arritur të japë verdiktin e saj lidhur me fajësinë apo pafajësinë e tyre. Procesi ndaj tre ishshikasve, ka gjasa të shndërrohet në një prej proceseve më maratonë të zhvilluara deri më tani nga Gjykata e Krimeve të Rënda, pasi duket se do të duhet sërish kohë derisa të firmoset vendimi përfundimtar. /GSH/Start/

                                                                                             2012-09-12 10:13
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›