E Diel, 1 Nëntor 2026

21 janari, Rama: Trojka foli qartë për drejtësinë e munguar, të shtunën homazh dëshmorëve

TIRANE - Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama përshëndeti deklaratën e përbashkët të trojkës së ambasadorëve, të cilët kërkuan zbardhjen e ngjarjeve të 21 janarit, përmes një hetimi gjithëpërfshirës dhe të paanshëm.

Përmes një deklaratë të shpërndarë për mediat, kryesocialisti nënvizon se pa qëndrimin e qartë dhe të hapur të botës demokratike nuk ka asnjë gjasë që krimet e 21 janarit të ndëshkohen.
“Në emër të të gjithë popullit opozitar dhe posaçërisht të familjeve të dëshmorëve të 21 janarit, i shpreh mirënjohje botës demokratike që përmes trojkës së ambasadorëve foli sot qartë për drejtësinë e munguar për vrasjen e Hekuran Dedës, Aleks Nikës, Faik Myrtajt dhe Ziver Veizit.”- thekson Rama.

Duke falenderuar ambasadorët, Rama i bëri apel opinionit publik që të dëgjojë edhe dëshminë e vëllait të Hekuran Dedës, të transmetuar në për emisionin “Xhungël” në NEWS24.

Vëllai i Hekuran Dedës ka rrëfyer për emisionin “Xhungël” një takim që sipas tij ai ka pasur me atë që e cilëson si të dërguarin e kryeministrit, Sali Berisha, tri ditë pas vrasjeve. Ky person ka kërkuar nga familja Deda që ata të pranonin Berishën për një kafe ngushëllimi në shtëpi, në këmbim që ai t’i tregonte se kush ishte vrasësi duke i premtuar njëherësh edhe ndihmë ekonomike.

“Është dëshmia e një familjeje të këputur shqiptare, e cila sot e gjithë ditën jo vetëm qan djalin, vëllain, babain e xhaxhain e vrarë të plot nipave e mbesave, po dhe vuan deri në palcë bashkë me
drejtësinë e munguar për 21 janarin e me fyerjet e turpshme ndaj tij pas vdekjes, edhe ofertën rrënqethëse të dikujt që trokiti në derën e shtëpisë së tyre në emër të Sali Berishës.”- vijon më tej Rama.

Sipas kryesocialistit, “dëshmia e vëllait të Hekuran Dedës është një tjetër provë e rrëshqitjes drejt një realiteti pa shtet, pa drejtësi, pa institucione dhe të vendosjes së një regjimi metodash e teknikash mafioze për të asgjësuar lirinë,
demokracinë, opozitarizmin.”

Në fund të deklaratës së tij, shefi i opozitës u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të marrin pjesë në homazhin e 21 janarit, ora 11:00 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

“Për të kujtuar dëshmorët, për të respektuar familjet e tyre, për të nderuar traditën më të mirë shqiptare në një përvjetor si ky.”- përfundon Rama.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›