E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasada franceze dhuron pajisje teknike për Policinë e Shtetit

TIRANË - Ambasada franceze dhuron disa pajisje teknike Policisë së Shtetit, të cilat do t’i shërbejnë strukturave të Departamentit kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, përkatësisht Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale.

Në ceremoninë e rastit të zhvilluar në ambientet e kësaj ambasade, ishin të pranishëm ambasadorja franceze, Christine Moro, zv/drejtori i Përgjithshëm kundër Krimit të Organizuar e Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit, Agron Kuliçaj, Atasheu për Sigurinë e Brendshme Jean-Louis Jacquinet, drejtori kundër Krimeve të Rënda, Tonin Vocaj, si dhe drejtori i Forcës së Posaçme Operacionale, Nikolin Bala.
Duke falënderuar ambasadën franceze, për mbështetjen e vazhdueshme, Kuliçaj i vlerësoi tepër të rëndësishme pajisjet e dhuruara sot për strukturat që drejton.

"Këto pajisje do të ndikojnë në rritjen e kapaciteteve profesionale të strukturave të këtij Departamenti, për të qenë edhe më të suksesshme në hetimin dhe dokumentimin e veprimtarisë kriminale dhe luftën ndaj krimit të organizuar", deklaroi Kuliçaj.
Ambasadorja franceze, Christine Moro, theksoi se përmes dhurimit të këtyre pajisjeve synohet t'u vihet në ndihmë punonjësve të policisë në përballjen e tyre me krimin.

(er.nu/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›