E Diel, 1 Nëntor 2026

Narkomani shtyp për vdekje me makinë 3 fëmijë

18/01/2012  Tragjedi në Fier, arrestohet 22-vjeçari. Përplasi në fillim në 17-vjeçar, më pas dhe 2 fëmijë

FIER- Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Fierit. Dy fëmijë 12 dhe 15 vjeç dhe një adoleshent 17-vjeçar kanë mbetur të vdekur, pasi janë përplasur nga një automjet. Ngjarja tragjike ka ndodhur në aksin rrugor Vlorë -Fier, dhe pikërisht në vendin e quajtur "Rrepet" kur drejtuesi i një fuoristrade me targa AA 810 CI ka përplasur për vdekje 17-vjeçarin me iniciale G. Shkrela, banues në fshatin Zhupan të rrethit Fier, i cili në momentin e ngjarjes, sipas policisë, mendohet se po drejtonte një motoçikletë. Po ashtu, rreth 15-20 metra larg vendit ku ndodhi aksidenti janë gjetur të vdekur edhe dy fëmijë me iniciale A. Kola 15 vjeç dhe A. Malaj 12 vjeç banues në fshatin Drizë. Policia pas ekspertimit të ngjarjes, si dhe hetimit të menjëhershëm ka arrestuar drejtuesin F. Habilaj, 22 vjeç, për të cilin dyshohet se ishte nën efektin e drogës në momentin që ka përplasur për vdekje 3 shtetas minorenë.

Ngjarja

Megjithëse po hetohen rrethanat, sipas rindërtimit të një dinamike të parë të ngjarjes, mësohet se i riu që drejtonte fuoristradën ka përplasur fillimisht drejtuesin e motoçikletës dhe më pas mund të ketë përplasur edhe dy kalimtarët e vegjël. Sipas burimeve nga grupi hetimor, fillimisht aksidenti ishte shënuar si një ngjarje pa të lënduar, por vetëm me përplasjen e një mjeti që në fakt nga policia nuk po gjendej ende. Pas disa kërkimeve në vendin ku ndodhi përplasja, e cila u raportua nga drejtues të tjerë të mjeteve, policët arritën të gjejnë një kufomë rreth 7 metra larg nga vendi i aksidentit. Menjëherë blutë kanë tentuar t’i vijnë në ndihmë, por ai kishte humbur jetën qysh në çastin e përplasjes. Pranë tij ndodhej edhe motoçikleta. Kur mendohej se u gjet viktima e aksidentit, blutë u vunë në kërkim të autorit, pa menduar që mund të kishte të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje, e cila mori përmasa fatale. Kështu dëshmitarë të ngjarjes kanë njoftuar pas orës 23.30 se kishin parë një fëmijë të plagosur që rënkonte diku në anën tjetër të rrugës ku ndodhi aksidenti. Sërish filluan kërkimet, të cilat nuk gjetën një, por dy të plagosur rëndë. Këta të fundit, të dy fëmijët u shoqëruan për në spital, por mjekët deklaruan se goditjet kishin qenë shumë të rënda dhe se për ata nuk mund të kishte asnjë shans jete. Kështu rreth orës 01.00 dy të plagosurit kanë humbur jetën në spitalin rajonal të Fierit. Policia po rreth kësaj ore ka arritur të gjejë autorin e aksidentit. Shefi i qarkullimit rrugor në Fier, Gëzim Kosturani, theksoi se autori pas ngjarjes së rëndë është larguar me shpejtësi nga vendngjarja duke fshehur gjurmët edhe të automjetit. Në momentin e aksidentit dhe më parë ka qënë me shpejtësi tej normave të lejuara. Pas kapjes nga policia i është bërë testi i konsumit të pijëve alkoolike, por nuk rezultoi se ishte i pirë. Sipas Kostuanit, ai ishte përdorues i lëndëve narkotike.

Autori

Mësohet se 22-vjeçari F. Habilaj, i dënuar më parë për vjedhje, pasi kishte kryer aksidentin, ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Fillimisht ai kishte fshehur automjetin e tij pas një pike karburanti dhe më pas kishte tentuar të largohej me shpejtësi, por policia ka mundur ta identifikojë dhe ta arrestojë atë në kohë. Nga shërbimet e policisë vazhdon puna për qartësimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të kësaj ngjarje të rëndë. Ora e vonë e aksidentit ka bërë të mundur boshatisjen e rrugëve nga dëshmitarët okularë, por në çastin e aksidentit kanë qenë në lëvizje shumë drejtues mjetesh, si dhe disa roje. Këta të fundit kanë mundur të bëjnë një përshkrim të mjetit që e panë të përplasej me një nga rrapet e këtij aksi rrugor. Kjo ka bërë të mundur edhe identifikimin e autorit. Policia deklaroi se F. Habilaj u arrestua për veprat penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”, “largim nga vendi i aksidentit”, “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” dhe “drejtim i mjetit pa leje drejtimi”.

Viktimat

Ende nuk është vërtetuar nëse dy fëmijët 12 dhe 15 vjeçc ishin bashkë në çastin e përplasjes, por duke qenë se njëri është nga fshati Drizë dhe tjetri nga fshati Zhupan, mendohet që të kenë qenë duke ecur në këmbë për t’u kthyer në shtëpi. Ndërkohë sipas disa burimeve nga grupi hetimor, familjarët e tyre kanë treguar se fëmijët luanin në bilardo deri në orën 23.00 dhe pastaj ktheheshin, por nuk kishin pasur asnjëherë probleme. Të dy fëmijët ishin nxënës në shkollën 9-vjeçare të fshatit Drizë, njëri në klasën e 6 dhe tjetri në klasën e 9. Sot shokët e tyre kanë shkuar në familjet e prekura nga fatkeqësia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›