E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk pastroi para në Shqipëri, mbyllen hetimet për Ali Evsen

18/01/2012  Lirohen 15 llogaritë bankare të bosit turk të “Albania Airlines” që ishin sekuestruar

TIRANE-Pushohet hetimi ndaj biznesmenit të kompanisë “Albania Airlines” Ali Evsen, që dyshohej nga Prokuroria si i implikuar në veprën penale të “pastrimit të parave”. Gjatë 8 muajve verifikime, njësia hetimore Task-Forcë nuk mundi të provojë dyshimet e saj, pasi edhe nga letërporositë e dërguara në Turqi dhe Spanjë, nuk u siguruan informacionet e nevojshme që do të vërtetonin aktivitetin kriminal të biznesmenit Ali Evsen. Siç, mësohet për këtë çështje hetuesit shqiptarë kanë marrë dy takime me prokurorë të Spanjës, prej nga dhe u iniciua hetimi për Evsen, por në fakt këto takime nuk sollën asnjë rezultat për sa i përket hetimit të dosjes. Si rezultat i këtyre veprimeve hetimore, njësia Task-Forcë pranë Prokurorisë së Tiranës vuri në sekuestro preventive 15 llogari bankare që në total përmbushnin shifrën prej rreth 200 mijë dollarëve. Ndërkohë që nën sekuestro preventive ishin vënë dhe bizneset e Ali Evsen, duke filluar nga kompania ajrore “Albania Airlines” e deri tek disa hotele dhe restorante që ndodhen në Shqipëri. E gjithë kjo pasuri kapitale, u përkthye nga prokurorët e njësisë Task-Forcë në një shumë prej rreth 2.5 milionë eurosh. Momentalisht të gjitha bizneset, por dhe llogaritë bankare, janë liruar nga gjendja e sekuestros, duke bërë që kompania të vijojë normalisht aktivitetin tregtar të saj. Evsen u arrestua vitin e kaluar në Spanjë, pasi dyshohet për një sërë akuzash, duke filluar nga korrupsioni dhe pastrimi i parave. Së bashku me të u ndalua dhe një shtetas egjiptian, mik i ngushtë i ish-presidentit të Egjiptit Hysein Mubarak. Evsen dyshohet se ka dërguar miliona euro nga Shqipëria në drejtim të Egjiptit, para këtyre që nuk i dihet burimi se nga kanë ardhur. Momentalisht Ali Evsen hetohet në Spanjë në gjendje të lirë falë garancisë pasurore prej 18 milionë eurosh të deklaruara para gjykatës. Si rezultat i këtij hetimi, zyra e Interpolit i kërkoi dhe autoriteteve shqiptare që të fillonin hetimet ndaj Evsen dhe ngrirjen e pasurisë së tij. Kjo kërkesë e mbërritur në mënyrë urgjente, është ekzekutuar me të njëjtën shpejtësi nga Prokuroria e Tiranës, e cila pasi kreu dhjetëra veprime hetimore konstatoi se Ali Evsen nuk është autor i veprës penale për të cilën dyshohet. Ndërkohë që për sa i përket interesimit të autoriteteve spanjolle dhe atyre turke mbi këtë çështje, burimet shtuan se deri në këtë periudhë ende si ka ardhur asnjë kërkesë për informacion. Burimet theksuan se interes për dosjen ka shfaqur vetëm zyra ndërkombëtare e INTERPOLI-t, e cila duket se u ka kërkuar autoriteteve shqiptare informacione lidhur me listën e pasurive të ngrira.

Ali garant i Salem

49-vjeçari Ali Evsen, së bashku me një biznesmen egjiptian, u arrestuan në Spanjë me akuzën “pastrim parash”, “dhënie ryshfeti” dhe “korrupsion”. Egjiptiani i arrestuar është djali i biznesmenit Hysejn Salem, një nga njerëzit më të afërt të ish-presidentit egjiptian, Hosni Mubarak. Pas arrestimit, policia spanjolle ka ngrirë llogarinë bankare prej 33 mln eurosh të egjiptianit Salem dhe ka dyshime se biznesmeni turk, Ali Evsen, punonte si garant dhe nëpërmjet kompanive të tij i dërgonte paratë familjes egjiptiane, Salem.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›