E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjobat për kundërvajtësit do të dyfishohen

25/11/2011  Ligjet miratuan në parim amendamentet e PS-së për uljen e tarifave të gjobave

Mazhoranca tërhiqet, ndryshimet në Kodin Rrugor sipas propozimit të opozitës

Mazhoranca pranoi dje propozimet e opozitës në lidhje me tarifat ndëshkimore për shkelësit e qarkullimit rrugor, ku nga 4 që kishte parashikuar qeveria, gjobat për shkelësit do të rriten me dyfishin e tarifave aktuale. Gjatë punimeve të seancës së djeshme plenare deputetët e Kuvendit në Komisionin e Ligjeve zhvilluan një mbledhje të jashtëzakonshme për të shqyrtuar amendamentet e opozitës në lidhje me ndryshimet e reja në Kodit Rrugor. Pasi u njohën me propozimin e opozitës, që kundërshtonte katërfishimin e gjobave për shkeljet e qarkullimit rrugor, duke propozuar që kjo shumë të rritej me vetëm dyfishin, në konsensus të plotë kolegët e së djathtës i pranuan propozimet e grupit socialist në Komisionin e Ligjeve. Më pas mazhoranca dhe opozita miratuan dje në parim ndryshimet e reja në Kodin Rrugor, ku përveç ndëshkimit me gjobë është parashikuar burg për përdoruesit e alkoolit gjatë drejtimit të mjetit apo në mungesë të patentës. Çështja e katërfishimit të gjobave që parashikohej në këto ndryshime shkaktoi debate gjatë diskutimeve të projektligjit të propozuar nga Ministria e Transporteve. Në mbledhjen e së mërkurës të Komisionit të Ligjeve, ku morën pjesë dhe përfaqësues nga grupet e interesit, këta të fundit dhe deputetët e opozitës u shprehën kundër masave të reja ndëshkimore për shkeljet në qarkullimin rrugor që mazhoranca kishte parashikuar në këto ndryshime. “Në kushtet socialekonomike në të cilat ndodhet vendi, por me tepër niveli i korrupsionit i evidentuar në radhët e efektivave të policisë, vetëm do të rritë abuzimet”, - u shpreh të mërkurën socialisti Pandeli Majko. Projektligji për Kodin Rrugor, miratimi i të cilit kërkon shumicë të cilësuar prej 84 votash, do t’i kalojë për diskutim të hënën e ardhshme Komisionit të Veprimtarive Prodhuese. Miratimi i projektligjit pritet të bëhet ashtu siç kishte përcaktuar në axhendën e punimeve të Kuvendit, që u miratua më 14 nëntor, kur u firmos dhe marrëveshja PD-PS për realizimin e reformave integruese të vendit, pra më 1 dhjetor. Kështu, në seancën plenare të së enjtes së ardhshme deputetët e mazhorancës dhe të opozitës do të miratojnë në unanimitet ndryshimet në Kodin Rrugor. Me ndryshimet e reja në Kodin Rrugor gjobat për tejkalimin e normave të shpejtësisë, drejtimi i mjetit në gjendje të dehur, mosvendosja e rripit të sigurimit, mos ndalimi para policit do të variojnë nga 20 mijë deri në 1 milion e 600 mijë lekë të vjetra. Ndërsa për shoferët që kanë shmangur pagesën e gjobave deri tani me idenë se pas kalimit të një viti këto do të fshihen (parashkruhen), projektligji do ta fshijë këtë mundësi, pasi këto gjoba nuk do të parashkruhen dhe do të paguhen qoftë edhe pas 10 vjetësh, sigurisht me kamatë.

Dhënia e makinës

Neni 115 pika 11 “për leje drejtimi dhe certifikata e aftësisë profesionale për drejtimin e motomjeteve dhe automjeteve” do të ndryshojë në: “Cilido që duke zotëruar materialisht një mjet ia beson ose ia jep ta drejtojë një personi të papajisur me leje drejtimi, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga 1500 lekë deri në 10 mijë lekë të reja dhe me pezullimin e lejes së drejtimit për një vit. I njëjti dënim zbatohet edhe në rastet kur përdoruesi i mjetit nuk ka dokument përdorimi nga zotëruesi material i mjetit, por nga ky i fundit nuk ka njoftim apo denoncim të administruar në organet e policisë për humbje, marrje (vjedhje) apo grabitje të mjetit.”

Kufizimet e shpejtësisë

Neni 140, pika 9 e Kodit Rrugor në lidhje me tejkalimin e normave të lejuara të shpejtësisë do të ndryshojë: “Cilido që tejkalon kufijtë e shpejtësisë me më shumë se 20 km/orë, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë. Si pasojë e kësaj shkeljeje, merret masa administrative plotësuese me pezullimin e lejes së drejtimit nga 1 (një) deri në 3 (tre) muaj. Në qoftë se shkelja është kryer nga një drejtues mjeti që e zotëron lejen e drejtimit prej më pak se 3 vjetësh, pezullimi i lejes së drejtimit bëhet për 3 (tre) deri në 6 (gjashtë) muaj”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›